Kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së të zgjedhurve vendorë , ka paraqitur kërkesat lidhur me projektbuxhetin 2025, duke paraqitur edhe 6 propozime.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, atje ku ka nisur diskutimi lidhur me pr/buxhetin, Qosja thekson se për 11 bashkitë bregdetare të shtohet buxheti dedikuar turizimit dhe mjedisit.
Në emër të shoqatës së të zgjedhurve, Qosja kërkon rritje buxheti me 10% për vaditjen, kullimin, digat dhe rrugët rurale.
“Ne si shoqatë kërkojmë që buxheti për grantet e performacës të jepet mer prioritet në sektorin e pyjeve dhe kullota në bashki që e kanë prioritet strategjik këtë sektor. Ne si shoqatë e të zgjedhurve vendorë në konsultim me të zgjudhurit në të 61 bashkitë e vendit, kërkojmë që fondet e kushtëzuar për Zhvillimin Rajonal të ndahen sipas prioriteve te bashkive dhe jo sipas vendimeve qëndrore.
Ne si shoqatë e të zgjedhurve vendorë, angazhohemi për të rritur përgjegjshmërinë, përpjekjet për të qenë sa më transparent në vendimarrjet tona dhe bashkëpunim ndërinstitucional”, thuhet në kërkesë.
Qosja shprehet se për ne si shoqatë ndarja nuk plotëson nevojat për bashkitë, veçanërisht për ato me ekonomi të kufizuar, për bashkitë e vogla dhe malore dhe sidomos ato në zonat më të varfëra në veri por dhe jug por dhe bashkitë bregdetare që perballen me flukse në industrinë e turizmit.
“Ndaj ne kërkojmë që buxheti nga transferta e pakushtëzuar nga 1% e GDP të shkojë së paku 1.5%”, thekson ai.
Rritja prej 13.2% e buxhetit vendor për vitin 2025 paraqitet si pozitive, por shoqata e të zgjedhurve vendorë gjykon se më shumë buxhet mund dhe duhet të alokohet për bashkitë nga taksat kombëtare.