Konferenca e Kryetareve rrëzon kërkesën e PD për zgjatjen e mandatit të Komisionit Hetimor parlamentar për Sterilizimin dhe check-up në Shëndetësi.
Gazetari Ergys Gjencaj raporton për Balkanweb se kërkesa nuk u pranua nga përfaqësuesit e mazhorances në Konferencën e Kryetarëve.
Në kërkesën e PD për zgjatjen e hetimit parlamentar thuhet se “Komisioni nuk ka përmbushur të gjitha pikat e planit hetimor lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe nuk është shkruar raporti i Komisionit i cili në rastin më të mirë kërkon 10 deri në 14 ditë kohë përpara paraqitjes të tij në Komision dhe më pas në Kuvend. Nëse Komisioni nuk zgjat veprimtarinë e tij, nuk ka afat kohor për të shkruar raportin”.
Njoftimi:
U mblodh Konferenca e Kryetarëve
Në drejtimin e Kryetares, znj. Elisa Spiropali, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja shqyrtoi projektprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 25 Nëntor-27 Dhjetor 2024 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 25 Nëntor-13 Dhjetor 2024.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi seancës plenare.
Gjithashtu Konferenca e Kryetarëve shqyrtoi edhe kërkesën e 7 deputetëve të Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.
Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve rrëzoi kërkesën e 7 deputetëve të opozitës për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi.
(Balkanweb)