Irani dhe Shqipëria për shkak të vjedhjes së të dhënave, përfshihen në një lufte të re, ku iranianët e ardhur herët në vendin tonë por edhe muxhahedinët, kanë një rol. Ben Blushi ka rimarrë ngjarje të ditëve tona duke i veshur me trill artistik në romanin e tij “Parajsa Artificiale” ku lufta lind nga dashuria.

“Simon Shuteri është një personazh që unë e kam pasur në dy libra të tjerë, i premton vajzës me të cilën ka një marrëdhënie që të krijojë një luftë. Ka një lojë mes tyre se me cilin mund të shkojë në luftë Shqipëria, pse me Iranin? Sepse këtu ka një aktualizim se me Iranin kemi pas një konflikt, kibernetik, ata na kanë marrë të gjitha të dhënat, telefonat, targat e fluturimet e të dhënat e tjera ndoshta në celular dhe Shuteri si personazh djallëzor e makiavelik e përdor këtë element për të sajuar një luftë për t’i bërë qejfin vajzës”, thotë Blushi.

Romani që mund të gjendet në panairin e librit sjell disa realitete. Kur lufta merr kahun e saj artistik, personazhi kontrovers, Shuter, propozon edhe krijon një parajsë të re, ndryshe prej asaj që njohim ne prej letërsisë. Blushi krijon një parajsë artificiale duke bashkuar element utopikë dhe duke eleminuar disa koncepte përmes inteligjencës artificiale.

“Ky libër dhe personazhi im mendon se ne mund ta krijojmë parajsën në tokë, para se të vdesim. Pra nuk kemi nevojë të kalojmë përmes Zotit për të shkuar në parajsë. Komunizmi premtoi një lloj parajse barazitiste, por dështoi. Kurse parajsa për të cilën flas, është një parajsë që njerëzimi e arrin përmes teknologjisë. Disa nga arsyet që kanë shkaktuar kaq shumë konflikt siç janë Zoti, Paraja, kapitalizmi i egër, pabarazia e dhimbja do vijnë duke u zbutur përmes teknologjisë”.-tha Blushi,

Një luftë për një grua dhe një parajsë për një grua, krijohen brenda 24 orësh duke parashikuar një rend të ri për çështje të vjetra, në një libër që bashkon shije dhe interesa lexuesish të ndryshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb