Në emisionin investigativ Vetting në News24 është trajtuar çështja e guroreve, që është kthyer në një problem për banorët e zonave ku këto biznese fitimprurëse ushtrojnë aktivitetin. Problemi nis jo thjesht në shkatërrimin e burimeve natyrore, por këto gurore dëmtojnë tokat bujqësore, dëmtojnë banesat, sikundër rrezikojnë jetët e banorëve. Por cilët janë pronarët e guroreve që duket se kontrollojnë jo pak hapësirë në Krujë, dhe pavarësisht protestave të banorëve vijojnë aktivitetin. Vetting zbulon pronarët, që rezultojnë që janë të njëjtët që përfitojnë miliona para publike përmes tenderave.
Kruja është qyteti i dytë në Shqipëri me numrin më të madh të guroreve, por në dallim nga Dimali, guroret janë më pak të ekspozuara prej rrugëve. Në një cep të një guroreje të braktisur, në vend të pemëve që duhet të ishin mbjellë nga kompania, duket një makinë e djegur, që vitet e fundit është simbol dhe mjet që digjet pas atentateve.
Edhe kjo zonë ka pësuar një shfrytëzim barbar të maleve e kodrave prej guroreve, duke sjellë shqetësime serioze për banorët, madje duke shkaktuar konflikte sociale në mungesë të reagimit nga institucionet shtetërore.
Në dallim nga qytetet e tjera, banorët e kësaj zone janë përplasur me pronarët e guroreve, apo njerëzit që dërgonin këta të fundit, pasi rezultojnë si persona të lidhur me pushtetin. Banorët kanë protestuar edhe tek institucionet ligjzbatuese, por shpesh raportoheshin si denoncues tek pronarët e kompanive.
Vitin e kaluar banorët e fshatit Borizanë në Krujë protestuan kundra guroreve që me anë të përdorimit të eksplozivit denonconin përdorimin e tij pa kriter dhe në distancë të afërt me shtëpinë
Banorët ankoheshin për shkatërrimin e shtëpive, për faktin që kishin bërë denoncime në polici dhe prokurori, por kompania vazhdonte aktivitetin e pashqetësuar.
Më 7 korrik 2023, deputetja e Partisë Demokratike Merita Bakiu do të ngrinte shqetësimin e banorëve të Borizanit dhe mungesën e masave nga Prokuroria dhe Policia, por përsëri asnjë masë nuk do të merrej për problemin e banorëvë.
Madje gjërat do të merrnin një kthesë akoma më dramatike, për banorët që ishin në krye të protestës për të mbrojtur shtëpitë e veta nga shkatërrimi.
Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Fillimisht pamjet dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës.
Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale.
Një nga banorët që ka shprehu shqetësimin është Sinan Morina, i cili flet për problemet e shumta që u kanë shkaktuar guroret.
“Na mbyti ky tymi, guroret na dëmtuan shëndetin. Ka raste këta të gurores hedhin në orën 12 të natës, nuk lajmërojnë kur bohen mina,hic, kur dun me i bo, i bojnë.”, thotë për “Vetting” Sinan Morina.
Por këto zona duket se nuk janë nën kontrollin e institucioneve shtetërore, ku nuk ekziston ligji dhe ku njerëzit duhet të mbrohen vetë. Edhe pas protestave dhe reagimit të institucioneve asgjë nuk ndryshoi dhe rezultoi se e gjitha ishte një fasadë për të kaluar skandalin e radhës.
Sipas Sinan Morinës, me rastin e gurores është shkelur ligji pasi guroret janë shumë afër me zonat e banuara.
Ka shumë arsye që në Krujë nuk mund të mbyllen guroret jashtë kritereve, ose të paktën t’u kërkohet të zbatohet ligjit. Po të analizojmë me vëmendje listën e personave që kanë këto kompani, janë përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë dhe konçesioneve shtetërore, madje që shpeshherë janë lakuar për lidhjet me pushtetin.
Megjithatë në këtë rast problem nuk është përfitimi i fondeve publike, por mënyra se si këto kompani favorizohen dhe mbështeten nga institucionet publike dhe zyrtarët e lartë, në dëm të banorëve.
Në Krujë janë vetëm 3 kompani që kanë bërë rehabilitimin e zonës së guroreve; kompanitë “FUSHE-KRUJE CEMENT FACTORY”, “MILIS BRICK” sha dhe “ANTEA CEMENT” sh.a. Kompanive të tjera u është revokuar licenca nga Ministria e Mjedisit, pasi nuk kanë rehabilituar mjedisin.
Sipas ekspertit Abdulla Diku, mënyra se si bëhet hapja dhe zgjerimi i karrierave e bën të vështirë procesin e rehabilitimit.
“Nuk mund të rehabilitosh një faqe masive shkëmbore, ku pjerrësia është 90 gradë dhe ku do të duhet një volum i jashtëzakonshëm”, deklaron Abdulla Diku.
Në mars 2019, Ministria e Mjedisit i revokoi lejen për guroren në Krastë të Krujës kompanisë “Salillari” shpk, pasi kishte një sërë shkeljesh sipas Ministrisë. Konkretisht kompania nuk kishte bërë rehabilitimin e karrierës, nuk kishte rregulluar sistemimin e rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore dhe mbetjet sterile nuk ishin vendosur në një vend të përcaktuar sipas lejes së mjedisit.
Disa ditë më pas, më 15 mars 2019 kompania “Salillari” bëri ankesë për revokimin e lejes, por kërkesa u refuzua nga Ministria e Infrastrukturës, duke i lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatë.
Por pezullimi i lejes mjedisore të kompanisë “Salillari” ka ngritur pikëpyetje për lejet e tjera për gurore që ka ky subjekt. Sipas nenit 37 të Ligjit nr.10 304 datë 15.7.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, zotëruesi i lejes minerare ka detyrimin të bëjë rehabilitimin e zonës që ka marrë për shfrytëzim dhe në rast të mosrealizimit të planit të rehabilitimit, ky subjekt nuk përfiton leje për një veprimtari tjetër minerare për një periudhë prej 50 vitesh dhe kjo gjë bëhet shkak që t’i hiqet çdo leje tjetër minerare, që ka në zotërim.
Pra, në këtë rast kompania “Salillari” rrezikon që t’i hiqen të gjitha lejet për gurore që ka edhe në zonën e Dimalit, ku në letrën e firmosur nga zv.ministri Ilir Bejtja kërkohet që të bëhet rehabilitimi i zonës.
Në aksionin e ndërmarrë në 2019, Ministria e Mjedisit i ka revokuar licencën edhe kompanive të tjera, si “VEGA” dhe “FRENKI” shpk.
Kompanisë “VEGA” i është hequr licenca pasi ka shfrytëzuar sipërfaqe jashtë lejes së shfrytëzimit, nuk ka respektuar lartësinë e shfrytëzimit dhe nuk ka bërë rehabilitimin e zonës.
Ndërsa kompania “FRENKI” shpk, e cila është në pronësi të shtetasit nga Jemeni Adel Thabit Ahmed Thabit dhe Sami Hoxhaj nuk ka patur leje mjedisi, por ka marrë në menaxhim guroren pas lejes së transferimit për shfrytëzim, që ka marrë nga kompania “ARVO” shpk. Edhe kjo gurore, ashtu si guroret e tjera që nuk kishin rehabilituar mjedisin, ka marrë një gjobë me vlerë 5 mijë euro nga Ministria e Mjedisit.
Nga të dhënat e siguruara nga AKBN-ja, vetëm për periudhën 2014-2023 janë mbledhur në total 7.6 milionë euro për garancinë e rehabilitimit për lejet minerare. Një pjesë e këtyre fondeve të mbledhura, 1.45 milionë euro, janë para nga kompanitë që u është revokuar leja.
Janë me dhjetëra rastet kur banorë të zonave kanë dalë në protesta kundër aktiviteteve të guroreve, që iu ka dëmtuar pronën dhe po ju merr dhe jetën dalëngadalë.
Prej gati 3 dekadash, mbrapa kësaj përplasjeje qëndron oligarkia ekonomike, e cila në Shqipëri është maska që mbulon pronarët e vërtetë të pasurive publike të gllabëruara, ku shpeshherë pas saj gjenden drejtues bandash kriminale nën petkun e biznesmenit, biznesmenë që janë mësuar të përfitojnë nga fondet publike të servirura nga politikanët dhe në fund ata, politikanët e korruptuar që me “Presta Nome” shmangin ligjin, i cili i pengon të dalin drejtpërdrejt si aksionerët e vërtetë të këtyre pasurive.
Në Shqipëri, guroret janë sinonim i abuzimit të pushtetit me burimet natyrore kombëtare, i mosrespektimit të ligjit dhe vjedhjes së shumicës përballë një pakice të korruptuar, që dhunon të drejtën e jetës, shkel ligjin dhe mbi të gjitha asgjeson të ardhmen.
(BalkanWeb)