Mjaftonte vetëm një pikë, por Italia del me 3 nga takimi kundër Belgjikës, një sukses 0-1 që i dhuron ekipin “azzurr” një biletë për në çerekfinalet e Ligës së Kombeve, një xhiro përpara fundit. 4 fitore 1 barazim në 5 ndeshje janë shifrat që kënaqin Spallettin dhe stafin e tij, pas një Evropiani të dështuar, Italia jep sinjale pozitive për të ardhmen. Kundër Lukakut me shokë, Spalletti vendosi të eksperimentonte, këtë herë e transformoi Barella në fantazist, në një numër 10 i vendosur pas Retegui-t.

Pas një fillimi të vrullshëm, me një aksion shumë të bukur, Italia kaloi në avantazh në minutën e 11-të me Sandro Tonali-n, 15 muaj kishte mesfushori i Newcastle që nuk shënonte. Di Lorenzo dhe Retegui iu afruan disa herë golit të dytë, por më pas Belgjika mori stafetën, me “djajtë e kuq” që bënë gjithçka për të shmangur këtë humbje, por Lukaku, Trossard dhe pjesa tjetër e ekipit ishin të pafat duke mos shmangur humbjen e tretë në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Nuk e fshehu gëzimin për këtë mision të përmbushur Luciano Spalletti: “Djemtë u treguan të zotë, luanë të vërtetë, ditën edhe të vuajnë, si në pjesën e dytë ku humbën disa topa më shumë se sa duhej. Treguam se jemi një skuadër e fortë”, u shpreh Spalletti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb