Miliarderi i njohur Elon Musk u takua me ambasadorin iranian në OKB në fillim të kësaj jave, raportoi të enjten New York Times, duke cituar dy zyrtarë iranianë të paidentifikuar.

Sipas NYT, takimi i Musk me Amir Saeid Iravani u zhvillua në Nju Jork të hënën dhe u përshkrua nga burimet iraniane të gazetës si një përpjekje për të “zbutur tensionet” midis SHBA-së dhe Iranit. Biseda ishte “pozitive”, thanë burimet iraniane.

Musk, i cili zotëron SpaceX, Tesla dhe platformën e mediave sociale X, nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Zëdhënësi i Trump, Steven Cheung tha për NYT se presidenti i zgjedhur nuk do të komentonte mbi “raportet e takimeve private që kanë ndodhur ose nuk kanë ndodhur”. Misioni iranian në OKB gjithashtu nuk pranoi të komentojë, sipas Washington Post.

Biznesmeni me origjinë nga Afrika e Jugut shihet gjithnjë e më shumë si një nga njerëzit më të rëndësishëm në rrethin e ngushtë të Trump. Presidenti i ardhshëm njoftoi së fundmi se Musk do të drejtojë një departament ekstraqeveritar të sapokrijuar, i ngarkuar me rritjen e efikasitetit të qeverisë.

Trump ka zgjedhur disa persona të linjës së ashpër ndaj Iranit dhe mbështetës të vendosur të Izraelit për poste të larta qeveritare si pjesë e doktrinës së tij ‘paqe përmes forcës’, duke përfshirë senatorin Marco Rubio për sekretarin e shtetit dhe kongresmenin Mike Waltz për këshilltarin e sigurisë kombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb