Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe deputetja e PD, Dhurata Çupi, teksa po bëhej prezantimi i buxhetit të vitit 2025 për KLGJ, tha se ky institucion nuk ka bërë përpjekje serioze për të ulur numrin e dosjeve në gjykata. Sipas Çupit, qytetarëve u duhen shumë vite që të marrin të drejtën e tyre.

“Mendoj se nuk rezulton se gjatë 2024, të keni bërë përpjekje serioze për të ulur numrin e dosjeve në gjykatë. KLGJ, KLP, ILD janë institucione që duhet ti garantojnë qytetarit të drejtën jo vetëm për t’iu drejtuar gjykatës, por për ta marrë vendimin. Sot dëshpërimisht themi se duhen 15 vjet që qytetari të marrë të drejtën e vet. Kjo nuk mund të quhet reformë në drejtësi dhe punë e KLGJ-së. Ju kemi paralajmëruar këtu edhe për hartën gjyqësore që sot po iu dalin lakrat vendit. Sot kemi në gjykata shqyrtimin e dosjeve të vitit 2016.

Dëshpërimisht, kur unë lë datën për shqyrtimin e një dosje, pushohet dosja, sepse njoftohemi se qytetari ka vdekur. Kjo nuk ka asnjë justifikim. Ju sot sa herë vini këtu duhet të mbani llogari dhe përgjegjësi pse dosjet nuk ulen në gjykatë. Pse mijëra dosje vazhdojnë të mos shqyrtohen? Pse harta gjyqësore dështoi dhe askush nuk mban përgjegjësi? Në ato gjykata që u mbyllën, a gjenden më dosje?”, tha Çupi.

“Çfarë keni bërë në 2024 që të justifikoni milionat që keni marrë? Ata që kanë kaluar Vetting-un kanë zënë një rehati dhe nuk shqyrtojnë dosjet. Caktoni ju një program gjyqësor. Fatalitetet janë më të mëdha se shqyrtimi i dosjeve. Ju duhet të merrni masa?” – tha Çupi.

Sipas kreut të KLGJ, Ilir Rusi shenjat e uljes së numri të çështjeve janë, por ajo që ka qenë thelbësore kanë qenë vakancat në sistem.

“Termat e përdorur nga ana juaj, janë tuajat, por nuk më rezulton se këto fonde të mos kenë vajtur në destinacion. Kemi miratuar rritjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nga 13, në 22. Kjo i shkon për ndihmë numrit të çështjeve që do të gjykohet.

Shenjat e uljes së numrit të çështjeve janë. Ajo që ka qenë më thelbësore është te vakancat e magjistratëve. Kemi objektiva strategjikë për uljen e çështjeve të prapambetura. Jemi në rrugën e duhur. Nuk kërkojmë financime për luks, por janë domosdoshmëri dhe nevojë”, tha Rusi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb