Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vrasjen tre ditë më parë të biznesmenit Eduart Reçi.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se atentati ndaj tij është një ekzekutim mafioz e cila sipas tij do të mbetet pa u zbardhur.
“Me vendosjen e përfaqësuesve të mafies në të gjithë drejtoritë e qarqeve, vrasjet, tritoli janë bërë rregull i përnatshëm. Unë dënoj vrasjen e biznesmenit Reçi, ish-punonjës i përgjegjshëm, oficer i përgjegjshëm i Shërbimit Informativ, për të cilin nuk figuron asnjë lloj implikimi, asnjë lloj problematike. Një vrasje mafioze e shtetit mafioz, dhe që si çdo vrasje tjetër, mbetet pa autor dhe pa u zbuluar”, u shpreh ai.
Kujtojmë se biznesmeni Eduart Reçi u vra me një plumb në kokë ditën e mërkurë, ndërkohë që ende policia nuk ka asnjë të dhënë sa i përket autorit.
Pavarësisht këqyrjes së kamerave të sigurisë, nuk janë zbardhur detaje që mund të çojnë në identifikimin e tij, apo personave të tjerë të përfshirë, pasi është filmuar vetëm momenti kur biznesmeni rrëzohet në tokë në momentin që është qëlluar. Dyshohet se viktima është qëlluar nga lart, ndërsa personat e përfshirë në atentat mund ta kenë ndjekur për ditë me radhe Reçin në mënyrë që të përpilonin planin perfekt për të mos lënë gjurmë.
(BalkanWeb)