Një skenar horror përfshiu korridoret e Bundestagut mëngjesin e së premtes, pasi një sulm specifik dixhital nga hakerat rusë, raportohet se ka goditur Zyrën Federale të Statistikave, duke rrëmbyer 3.8 gigabajt të dhëna.
Sipas raportimeve, Zyra Federale e Statistikave ishte objektivi i sulmit, në të cilin u zbuluan sasi të mëdha të dhënash konfidenciale.
Por sa ndikon kjo ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare në Gjermani? Referuar raportimeve konfirmohen “indikacionet për një rrjedhje të mundshme të të dhënave”. Një portal i të dhënave federale dhe shtetërore “u shkëput deri në njoftimin e mëtejshëm për arsye sigurie”.
Ruth Brand është zyrtarja federale e cila është përgjegjëse për zgjedhjet e ardhshme federale.
Kur u pyet nga BILD, zëdhënësi i Brand shpjegoi se “sistemet e IT të Zyrës Federale të Statistikave dhe sistemet e IT të Zyrtarit Federal të Zgjedhjeve janë teknikisht të ndara dhe të pavarura. Përgatitjet për zgjedhjet federale të vitit 2025 po vazhdojnë “sipas planit”.
Në fillim të javës, shefja e mbrojtjes kibernetike Claudia Plattner tha se për datën e planifikuar të zgjedhjeve më 23 shkurt 2025, ne do të bëjmë çmos për të siguruar këtë proces zgjedhor sa më mirë që të jetë e mundur.
Raporti i menaxhimit të BSI-së paralajmëron se ka “përpjekje të përsëritura për të sulmuar faqet e internetit dhe serverët që përmbajnë të dhëna votuesish ose ofrojnë informacione për zgjedhjet”.
Kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang, prezantoi në një seancë dëgjimore në Bundestag se “Rusia përdor të gjithë mënyrat e saj: nga ndikimi i diskutimeve politike të brendshme gjermane te sulmet kibernetike kundër infrastrukturës kritike, deri në sabotim”.
Siç raportoi “Neue Zürcher Zeitung”, të dhënat ndoshta vijnë nga një sulm i të dhënave kundër autoritetit të statistikave të Brand-it. Dyshimet janë se hakerat “Indohaxsec” thuhet se po punojnë me grupin e hakerëve pro-rus “NoName057(16)”. Këta hakerë synojnë në mënyrë specifike shtetet e NATO-s.
Zëdhënësi i politikës së brendshme Alexander Throm (CDU) kërkon sqarime “të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse”.
“Pres një raport nga ministri i Brendshëm jo më vonë se javën e ardhshme, se cilat të dhëna preken, si mund të ketë ndodhur incidenti dhe mbi të gjitha si duhet të parandalohet një gjë e tillë në të ardhmen”, tha ai.