Një hapësirë e re në industrinë e turizmit po krijohet me baret dhe lokalet shqiptare të cilat po ofrojnë shërbime gjithnjë e më të standardizuara për t’iu përgjigjur edhe fluksit turistik.
Ndaj edhe episodi i radhës i podkastit “Flasim”, “Pjata në gotë” iu kushtua kësaj fushe ku të ftuar të Kryeministrit Edi Rama ishin dy baristë shqiptarë, Kleo dhe Sofo.
Ata treguan rrugëtimin e tyre në këtë degë relativisht të re të industrisë së shërbimit, si dhe sfidat me të cilat përballen për të ofruar standarde ndërkombëtare.
Kleo nga Fieri, i cili është zgjedhur zv.president i shoqatës Ndërkombëtare të Bartender-ave, një organizëm ku aderojnë bartender nga 67 shtete, tregoi artin që përcjell ky profesion, i cili sipas tij rivalizon me atë të shefit të kuzhinës.
Ndërsa, Sofo, lokali i të cilit në Tiranë është përzgjedhur në 100 lokalet më të mira në botë për bërjen e koktejleve solli eksperiencën e tij duke treguar se nga dita në ditë po vërehet shtim i numrit të turistëve që frekuentojnë këto bare.
I rritur mes Athinës dhe Shqipërisë, ai u shpreh se në shumë raste pagesat në këtë profesion janë më të mira këtu në Shqipëri.
“Krahasimisht me Athinën edhe nëse ka diferenca në paga janë më të vogla. Nëse i peshon me kostot e jetesës këtu merr më shumë dhe këtu ka punë, ka hapësira”, tha ai.
Në këtë drejtim, Rama u shpreh se pagat në gjithë sektorin e turizmit janë konkurruese me Athinën.
“Rrinë andej, paguajnë edhe qira shumë më të rënda se këtu edhe taksa shumë më tepër se këtu dhe për transport po ashtu dhe nuk vijnë këtu që të futen në këtë industri të re ku praktikisht pagat janë njësoj si atje konkurruese”, tha Rama.
Kryeministri informoi se po përgatitet të hapet një dritare në fushën e ndërtimit dhe turizmit se, sipas tij, është çmenduri të rrish në ndërtim në Greqi dhe mos të vish këtu ku kërkesa për njerëz të kualifikuar dhe pagat janë super.
“Këtë dritare mund ta hapim në Athinë, Milano në pjesën e Gjermanisë patjetër për t’i dhënë ofertat konkrete të tregut”, shtoi ai.