Donald Trump ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa për mallrat e importuara si pjesë e agjendës së tij ekonomike në mandatin e tij të dytë. Ndërsa Kina do të ndëshkohet më së shumti, vendet e tjera, përfshirë aleatët e SHBA-së, gjithashtu pritet të jenë nën ndikim.
Presidenti i zgjedhur u zotua për të përdorur tarifat deri në 60 % për mallrat kineze dhe deri në 20 % për importet nga vendet e tjera. Kjo shihet si një masë për të nxitur bizneset amerikane.
Megjithëse të gjitha politikat tarifore do të kenë nevojë për miratim nga Kongresi, shumë ekonomistë tashmë kanë filluar të spekulojnë mbi ndikimin që do të kenë në tregun global.
“Ndërsa (politika tarifore e Trump) do të ndikojë më intensivisht në marrëdhëniet tregtare me Kinën, ajo pritet të ndikojë edhe në marrëdhëniet tregtare me BE-në”, thotë Dr. Rishav Bista, profesor i asociuar i ekonomisë në Universitetin Kristian të Teksasit.
Në mënyrë të ngjashme, Edward M. Feasel, profesor i ekonomisë në Universitetin Soka të Amerikës shprehet se “nëse Presidenti Trump zbaton premtimin e tij për tarifa më të larta patjetër do të ketë një ndikim mbi eksportet dhe GDP në ekonomitë e aleatëve tanë dhe të tjerëve”.
Disa skenarë tregojnë se Evropa mund të vuajë më shumë se Kina. Një model i publikuar nga The Financial Times dhe Allianz Trade tregon se Evropa do të ishte më e prekura në një “luftë tregtare e përmbajtur” ku SHBA rrit tarifat ndaj Kinës në 25% për gjysmën e importeve jokritike amerikane dhe në 5 për qind për pjesën tjetër të botës, duke përjashtuar Kanadanë dhe Meksikën.
Në këtë skenar, vendet evropiane do të parashikohet të humbasin një total prej 38.6 miliardë dollarësh në 2025 dhe 2026, krahasuar me humbjet kineze prej 34.2 miliardë dollarësh.
Në rast të një skenari të “luftës tregtare të plotë”, me tarifa 60% për mallrat kineze dhe 10% për të gjitha kombet e tjera, modeli sugjeron se Kina do të humbiste një total prej 125.3 miliardë dollarësh në 2025 dhe 2026, ndërsa Evropa do të humbiste 124.8 miliardë dollarë.
SHBA është importuesi i dytë më i madh i mallrave dhe importuesi numër 1 i shërbimeve në botë. Sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara, në vitin 2022, SHBA importoi mallra me vlerë 3.2 trilion dollarë dhe shërbime me vlerë 680.3 miliardë dollarë.
Në të njëjtin vit, pesë furnizuesit kryesorë të importeve të mallrave amerikane ishin Kina (536.3 miliardë dollarë), Meksika (454.8 miliardë dollarë), Kanadaja (436.6 miliardë dollarë), Japonia (148.1 miliardë dollarë) dhe Gjermania (146.6 miliardë dollarë). Importet e mallrave amerikane nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian së bashku ishin 553.3 miliardë dollarë.
SHBA merr më shumë shërbime nga Mbretëria e Bashkuar, duke zënë 10.4 për qind të importeve totale të shërbimeve amerikane në vitin 2022 (70.8 miliardë dollarë). Importet e shërbimeve amerikane nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian së bashku ishin 166.7 miliardë dollarë.
Shumica e importeve të SHBA nga Kina janë makineri dhe pajisje mekanike (47.7 %), artikuj të ndryshëm të prodhuar (13.5%) dhe kimikate, plastikë, gome dhe lëkurë (10.5%), sipas raportit të Zyrës së Vlerësimit të Teknologjisë të SHBA-së për vitin 2021 .
Shumica e mallrave të importuara në SHBA nga Bashkimi Evropian përbëhen nga produkte medicinale dhe farmaceutike, të ndjekura nga makinat motorike dhe mjetet motorike dhe barnat, sipas raportit të Eurostat për 2023 .