Shqipëria do të përballet me Çekinë në Stadiumin Kombëtar, takim ky që do të mbahet për Nations League dhe që fillon nga ora 20.45. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruan se pret përkushtim maksimal nga kuqezinjtë sonte, me optimizmin që është i madh për një rezultat pozitiv. Ndër të tjera, numri një i FSHF shpreson se gjithçka do të shkojë si duhet, që nga fillimi i ndeshjes deri në fund.
Postimi:
Sonte vazhdojmë rrugëtimin tonë në UEFA Nations League, ndaj Çekisë me të cilën jemi përballur shpesh në dy vitet e fundit dhe kemi përjetuar emocione të shumta.
Të gjithë presim një ndeshje të fortë dhe angazhimin maksimal të të gjithëve në fushën e blertë dhe në shkallët e stadiumit.
Sonte duhet të fitojë futbolli, nga momenti i këndimit të himneve e deri në vërshëllimën e arbitrit për të mbyllur ndeshjen. Le të tregojmë qytetari, maturi dhe atë që shqiptarët e kanë pasur gjithmonë, mikpritjen.
(J.S/BalkanWeb)