Shqipëria do të përballet me Çekinë sot në orën 20:45 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve. Ndërkohë është caktuar dhe arbitri që do të vendosë drejtësi në këtë sfidë.
Bëhet fjalë për Sandro Scharer. Ai ka arbitruar finalen e Superkupës mes Real Madridit dhe Atalantës. Zvicerani ka gjykuar ndeshje të Çekisë me Moldavinë (3-0) të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe një miqësore në 5 qershor 2017, të zhvilluar me Belgjikë, ku Çekia mposhtej me shifrat 2-1. Ndërkohë, në një ndeshje të Shqipërisë ai do të vendosë drejtësi për herë të parë. Ndihmësit e tij do të jenë Xhonas Erni dhe Stefan de Almeida, po zviceranë.
Kompanitë e basteve shohin më favoritë miqtë nga Çekia duke e kuotuar fitoren e tyre me një mesatare 2.25. Në anën tjetër fitorja e Shqipërisë ka një koeficient 3.20. Me të njëjtën kuotë si fitorja e kuqezinjve është edhe barazimi.
Por nëse Shqipëria ka një armë të fortë, ata janë tifozët. Stadiumi “Arena Kombëtare” është komplet i shitur. 22.000 tifozë do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në mbështetje të Kombëtares shqiptare në shkallët e stadiumit. Një pjesë e vogël do të jetë për tifozët çekë që mendohet të jenë rreth 500 vetë.