Pas kaosit të krijuar në fushë, thirrjeve anti-shqiptare dhe pas ndërprerjes  së ndeshjes ndaj Rumanisë në Bukuresht, trajneri i Kosovës, Franko Foda nuk ka hezituar që të dalë në konferencë për shtyp. Numri një i pankinës së “Dardanëve”, thekson faktin se skuadra e drejtuar prej tij vendosi të lërë fushën në momentin që humbi respekti.

“Në konferencën e djeshme kërkuam që çdokush të shfaqte respekt brenda dhe jashtë fushës. Para ndeshjes u kam thënë futbollistëve që të tregojnë se si Kosova mund të luajë futboll dhe këtë e kemi treguar në mënyrë të shkëlqyer .Fatkeqësisht në fund të ndeshjes humbi respekti. Dhe për këtë arsye fillimisht vendosëm që të largohemi nga fusha. Më pas kemi biseduar me futbollistët dhe gjithë të tjerët për t’u kthyer në fushë”.

Foda shprehet se vendimi ka qenë i të gjithëve, ndërsa deklaroi se pret nga UEFA drejtësi.

“Por problemi është që situata në stadium nuk ndryshoi. Dhe për këtë arsye më pas vendosëm të gjithë së bashku të mos kthehemi në fushë dhe mos të vazhdojmë ndeshjen. Më vjen keq për këtë, pasi ekipi bëri lojë të shkëlqyer sonte. Por çdo kush duhet ta respektojë faktin se ne jemi Kosova. Shpresoj që në të ardhmen UEFA të ndërmarrë hapa të duhur që ajo që ndodhi sonte mos të ndodhë prapë”,

Bashkë me Fodan, në konferencë ishte edhe kapiteni Rrahmani. Rrahmani shprehet se fjalët e tij në drejtim të arbitrit ranë në vesh të shurdhër, pasi gjyqtari nuk donte t’ia dinte.

“Në fund, nuk dua as ta përsëris atë e më fortë që ndodhi. I thashë arbitrit, por ai nuk donte të dëgjonte. Dhe i thashë që do të largohemi nga fusha, sepse ai nuk dëshiron të ndërmerrte asnjë veprim.

 Tifozët filluan të bërtasin gjithnjë e më fort dhe ne vendosëm të mos ktheheshim në fushë. Ne përfaqësojmë njerëzit që kanë pasur një të kaluar të vështirë, ka pasur masakra.”- tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb