Në rubrikën “Opinion” në News24, analisti Genc Burimi dhe kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, debatuan lidhur me bashkëpunimin e forcave të reja me ato që konsiderohen si forcat e vjetra politike në vend.

Arlind Qori tha se idetë janë të negociueshme dhe të diskutueshme, por karakteri moral është i panegociueshëm. Në këtë kuadër, Qori u shpreh se nuk do të ketë kurrë bashkëpunim me Kryeministrin Edi Rama.

“Me Edi Ramën nuk kemi asnjë arsye pse të bashkëpunojmë”, tha Qori. Ai tha se Lëvizja Bashkë nuk bashkëpunon me asnjë nga ato që i quajti organizata korruptive.

Ai tha se në zgjedhjet e fundit mori 14 mijë vota si kandidat për kryebashkiak të Tiranës, duke shtuar se nëse do të bashkëpunonte me PD-në, do të humbiste edhe këto vota, pasi do të tradhëtonte njerëzit që i kanë besuar alternativës së tij.

Por analisti Genc Burimi, tha se nuk mund të thuhet në mënyrë të prerë se nuk do të ketë bashkëpunime. Në këtë kuadër, Burimi u shpreh se Churchill bashkëpunoi me Stalilin, sikundër nesër për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, do të duhet të bashkëpunohet me Putin që ka duart e lyera me gjak.

Gazetari Agim Baçi tha se ajo që mund të ndodhë me partitë e reja është fakti se ata mund të kthehen në shoqata, sepse fragmentarizohet vota. “Ata mund të thonë se nuk do të bashkëpunojmë, por kjo rrezikon t’i kthejë ato në shoqata apo organizata jo-qeveritare, pasi nuk do të arrijnë dot kurrë të marrin votat për pushtet”, tha Baçi.

Qori tha se Lëvizja Bashkë përfaqëson të majtën në Shqipëri. “Nuk jemi ekstrem, por në Shqipëri mungon e majta, pasi edhe Kryeministri Edi Rama ka favorizuar oligarkët. Karakteri moral është i panegociueshëm, por mund të negociojmë nivelin e taksave”, tha Qori, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë nëse forca që ai drejton mund të bashkëpunojë me forca të tjera që duan largimin e Edi Ramës.

Ai tha se Edi Rama është i vetmi politikan që nuk debaton me asnjë kundërshtar politik. “Rasti i parë dhe i fundit ishte debati me Besnik Mustafaj në vitin 2000”, tha Qori.

Ndërsa analisti Genc Burimi tha se duhet një ligj që të detyrojë Kryeministrin të dalë në debate publike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: