Prokuroria e Posaçme zbardhi detajet e operacionit të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në disa zona të vendit duke arritur të zbërthejë aktivitetin kriminal të një grupi të sofistikuar të cilët nga Amerika Latine trafikonin në Shqipëri lëndë narkotike kokainë e cila përpunohej në laboratorin e ngritur në fshatin Qerekë të Fushë Krujës. 10 persona ranë në pranga, 3 prej të cilëve nga vende të Amerikës Latine, 2 venezuelianë dhe 1 kolumbian.
Ekspertët e përpunimit të lëndës narkotike kishin ardhur nga Kolumbia dhe Venezuela të cilët bënin përzierjen e lëndës narkotike në Qerekë dhe më pas ajo hidhej në tregun vendas e atë europian. Bie në sy rruga si importohej droga nga Amerika Latine duke e fshehur në lëkurë gjedhi. Pas arkave me banane, trafikantët po përdorin skema të tjera trafikimi për t’i shpëtuar kontrolleve në dogana.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Tre kimistët kanë ardhur nga shtete si Kolumbia dhe Venezuela.
“Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, thekson SPAK.
Gjatë këtij operacioni ranë në pranga:
Shtetas shqiptarë:
1. Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2. Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3. Artion Caushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
4. Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë
5. Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6. Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7. Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1. Hiwlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian
2. Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian
3. Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian
Nga të dhënat hetimore të SPAK, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
***
Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
(BalkanWeb)