Pas megaoperacionit të SPAK, Policisë së Shtetit dhe agjencive partnere ndërkombëtare në disa zona në Shqipëri, ka reaguar drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Kreu i SPAK shprehet se do të goditet çdo rrjet kriminal që sfidon ligjin dhe cenon sigurinë e vendit. Ai thekson se goditja e grupit të kokainës në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë u bë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete.”
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar.”
(BalkanWeb)