Struktura e Posaçme Antikorrupsion duke dhënë detaje lidhur me megaopracionin që çmontoi një rrjet të trafikut të kokainës zbardhi edhe dy momente interesante lidhur me strategjinë që kishte ndjekur grupi kriminal.
Lënda narkotike vinte nga Amerika Latine e fshehur në lëkurë gjedhi të kriposur duke fshehur gjurmët dhe vështirësuar zbulimin gjatë kontrolleve në pikat kufitare, në rastin konkret në Portin e Durrësit. Droga më pas mbërrinte në laboratorin e ngritur në fshatin Qerekë të Fushë Krujës.
Sipas SPAK, kjo punishte droge nuk është ngritur pa qëllim në atë zonë. Por po ashtu, një bazë droge është zbuluar edhe pranë Portit të Durrësit.
Kjo sipas SPAK do t’iu mundësonte trafikantëve të shmangnin monitorimin nga ajri dhe lehtësonte transportimin e shpejtë të drogës, por edhe elementëve kimike, me qëllim mbërritjen e tregjeve brenda dhe jashtë vendit.
“Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara”, thekson SPAK.
(BalkanWeb)