Enkel Demi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 duke folur për librin “I rënë nga qielli” tha se me shumë gjasë kopjen e parë të librit e ka marrë Mira Meksi.
“Ia çova fizikisht sepse jetojmë shumë afër, ndërsa kopjen e parë virtuale, ia kam dhënë Mesilës”, rrëfeu Demi.
I pyetur nëse Mesila (bashkëshortja) ishte kritike për librin, Demi tha se ajo ka një këndvështrim të vetin për letërsinë dhe normalisht është e kursyer për gjërat që shpreh, por kam përshtypjen se ky libër i ka pëlqyer, edhe pse nuk bëjmë analizë letrare bashkë.
Por sa shijon një çmim i fituar?
Enkel Demi thotë se padyshim që përkëdhelet sedra. “Unë nuk shkruaj për çmimet dhe jam krejt i qetë, edhe kur ka konkurse unë nuk paraqitem, por çmimi është një kundërpërgjigje për një autor, lidhur me pasiguritë që ai ka. Sado mirë ose keq që të flasin njerëzit për librat e mi, unë nuk jam i bindur, madje unë pres kritika të ashpra. Unë shkruaj për veten time dhe për të komunikuar me disa njerëz që s’kanë në dorë çmime”, tha Demi.