Donald Trump, presidenti i zgjedhur i SHBA, i cili zyrtarisht merr detyrën më 20 janar 2025, nuk ka kursyer batutat ndaj Elon Musk.
Gjatë një feste gala në Mar-a-Lago në shtetin e Floridës, me skuadrën e tij të kandidatëve për qeverinë e ardhshme, Trump duke bërë shaka me Musk tha se ai nuk mund ta nxirrte më nga prona e tij, dhe duke vijuar batutën u shpreh se “nuk mund ta hiqte dot qafe’.
Në fakt, Musk mund të shihet shpesh në krah të Trump për momentin.
Në fjalimin e tij, Trump tha: “kemi një burrë këtu me një IQ mbresëlënëse të lartë. Unë besoj në inteligjencën e lartë të tij, e cila është ndër më të lartat që ekzistojnë.”
“Elon, çfarë pune po bën”, tha Trump, duke shtuar “ai është i mrekullueshëm, ai është një djalë vërtet i mirë. E dini, atij i pëlqen ky vend. Nuk mund ta largoj nga këtu. Ai thjesht e pëlqen këtë vend. Dhe çfarë? Edhe mua më pëlqen ta kem atë këtu.”
Musk, i cili u emërua nga Trump për të rishikuar efikasitetin e qeverisë, doli në skenë menjëherë pas presidentit të zgjedhur. “Siç tha Presidenti Trump, ne kemi nevojë për sens të përbashkët”, u tha Musk të pranishmëve. “Kyo nuk do të jetë biznes si zakonisht. Ky do të jetë një revolucion”, tha ai.