Një operacion i drejtuar nga SPAK çoi në zbulimin e një laboratori kokaine në fshatin Qerekë, si dhe arrestoi 10 persona.

Mes të arrestuarve janë edhe 3 shtetas të huaj, kolumbianë dhe venezuelianë, pjesë e grupit të trafikantëve. E ndërsa hetimet vijojnë, SPAK ka në ‘duar’ informacione të shumta lidhur me veprimtarinë e grupit, pasi personat ishin në vëzhgim prej muajsh.

Kokaina ishte e shkrirë në lëkurët e bagëtive dhe përmes proceseve kimike realizohej ndarja, ndërsa operacioni u finalizua në momentin e mbërritjes së ngarkesës së dytë të lëkurëve dhe që do të niste përpunimi, bashkë me sasinë e parë që kishte mbërritur në shtator.

Lëkurët e bagëtive vinin në Shqipëri nga vendet e Amerikës Latine. Rreth dy javë më parë një grup i prokurorëve të SPAK udhëtoi drejt Brazilit. Në përbërje të grupit ishin edhe Altin Dumani, kreu i SPAK, dhe Adnan Xholi, drejtuesi i seksionit kundër krimit të organizuar, që sot po drejtojnë hetimet lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në Qerekë.

Lidhur me vizitën e anëtarëve të SPAK në Brazil u tha se një nga pikat kryesore të diskutimit ka qenë lufta kundër bandave shqiptare, të cilat kanë krijuar rrjete të gjerë të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në drejtim të Europës.

Nuk dihet nëse kjo vizitë në Brazil dhe finalizimi i operacionit për laboratorin e kokainë kanë lidhje, por nuk përjashtohet mundësia që prokurorët shqiptarë të kenë marrë informacione të vlefshme për linjat e trafikut nga kolegët e tyre brazilianë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb