Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, gjatë një takimi me qytetarët në Berat ka përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Blushi tha se Meta sot është një i burgosur politik, duke shtuar se ka mbi vete një masë ekstreme.

“Dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të presidentit të Partisë së Lirisë, që sot ndodhet i izoluar politikisht, në një masë ekstreme, për luftën e tij të jashtëzakonshme politike dhe patriotike kundër këtij regjimi, që ka bërë gjithçka për shpopullimin e Beratit dhe varfërimin e qytetit”, tha Blushi.

Më tej, Blushi tha përpara qytetarëve se Partia e Lirisë zotohet se sapo të vijë në qeveri do të dyfishojë pensionet.

“1. PL zotohet për dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomike.

  1. Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.
  2. Indeksimin e shpeshtë brenda vitit të masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve.

Ne angazhohemi gjithashtu për:

Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistet dhe të përshkruara me recetë mjekësore.

Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të pensionistët me probleme shëndetësore.

Dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale.

Sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.

Sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacienteve pensionistë në banesë si dhe artikujve mjekësore (paterica, karroca, shtreter ortopedike), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve.

Zbatimin e detyruar të protokolleve të geriatrisë në qendrat shëndetësore për pacientët pensionistë”, deklaroi Blushi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb