Në rinisje të seancës, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka pretenduar se fillimisht duhet të bëheshin pyetje nga opozita më pas të bëhet prezantimi i projektbuxhetit nga kryeministri Rama. Ndërsa ka kërkuar të zbatohet rregullorja e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit u përgjigj se opozita do të ketë mundësi të bëjë pyetjet e saj menjëherë pasi të përfundojë prezantimi nga kreu i qeverisë.
Edi Rama, në lidhje me ndërprerjen e seancës pak më parë, si pasojë e kakofonisë së shkaktuar nga opozita, u shpreh se nuk mund të legjitimohen ulërimat nga vendi dhe ngritjet nga karriget për të penguar këdo që flet nga foltorja, duke propozuar që nëse kjo gjë ndodh sërish, duhet të kalohet në votimin e drejtpërdrejtë të pr.buxhetit.
“Praktika e ndërprerjes me forcë e fjalës së kujtdo qoftë që merr fjalën në këtë tribunë duhet të marrë përgjigje me kalim në votim. Kjo praktikë nuk mund të legalizohet e të vijojë më tutje. Kuvendi është vendi ku secilit thotë atë që mendon. Ulërimat nga vendi duhen sanksionuar me kalim në votim. Ju lutem shumë mbajeni në vëmendje këtë gjë”, iu drejtua ai zonjës Spiropali.
(BalkanWeb)