TIRANE
Shqipëria përjeton një moment të veçantë me inaugurimin e Kooperativës së Artit, një rezidencë arti e parë e këtij lloji në vendin tonë e lokalizuar në fshatin Vaqarr, 7 km larg Tiranës, në një godinë të rijetësuar. Kjo kooperativë e re që vjen nga mbështetja e Bashkisë Tiranës përmes Agjencisë Industrive Kreative dhe Fondacionit Emanuel, sot ofron një platformë unike për artistët nga e gjithë bota, duke i ftuar ata të jetojnë dhe të punojnë së basHku në një ambient inspirues dhe krijues.
Në fjalën e tij gjatë hapjes, Drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative , Jonid Jorgji, theksoi potencialin ekonomik që ka zhvillimi i industrisë kreative. “Me hapjen e Kooperativës së Artit, non-stop po kontribuojmë në zhvillimin e industrive kreative. Jemi të bindur te një potencial i madh ekonomik si dhe besojmë se prej kësaj industrie rrjedhin profesionet e së ardhmes, ato profesione të cilat nuk mund te zëvendësohen as nga Inteligjenca Artificiale por janë fryt i krijimtarisë njerëzore”, deklaroi Jorgji.
Përveç vënies në pah të talenteve të rinj, Kooperativa e Artit do të jetë gjithashtu e hapur për publikun çdo fundjavë. Vizitorët do të kenë mundësinë të ndjekin aktivitete të ndryshme artistike, si ekspozita, shfaqje, performaca, punëtori dhe diskutime, si dhe të blejnë vepra arti nga artistët e pranishëm.
Ky projekt i Bashkisë së Tiranës përmes Agjencisë së Industrive Kreative, është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar ndërveprimin mes artistëve dhe komunitetit, si dhe për të promovuar artin shqiptar në një kontekst global.