Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po mban një konferencë për shtyp.
Ndërkohë që në Kuvend po diskutohet në lidhje me Buxhetin 2025, Berisha tha se në vend që ai të ishte një mbështetje për qytetarët, është kthyer në ndarje të fondeve drejt pushtetarëve.
Ai theksoi rastin e zv. kryeminisgtres Belinda Balluku, e cila sipas tij ka që në vitin 2013 që vjedh para nga 27 kilometra rrugë, referuar projektit të Unazës së Madhe.
“Unë në fakt, konferencën e shtypit, takimin me ju e kisha thirrur për problemin themelor që po diskutohet këto ditë dhe që është buxheti më i madh në histori prej 8.2 miliardë eurosh, i cili në mënyrë tragjike, në vend se të jetë njëkohësisht dhe buxheti i mbështetjes më të madhe për qytetarët, është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e vendit.
I adresimit të 90 përqind të fondeve drejt duarve të zeza të qeveritarëve.
Drejt Lubi Ballukut, që ndan 13 kilometra rrugë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë.
Ka hyrë në Gines kjo hajdute shpifarake që nuk njeh standard dhe moral dhe që një vepër prej 27 kilometra rrugë, vazhdon ta vjedhë dhe ta vjedhë nga viti 2013 gjer sot.
Rikujtoj ju të nderuar gazetarë dhe mbarë shqiptarët se autostrada Tiranë-Elbasan përveç segmentit Farkë-Ibë, në 30 kilometrat e tjera ka përfunduar në 18 muaj, bashkë me tunelin, me kalime të ndara vajtje dhe ardhje.
Kurse unaza Rama-Balluku vazhdon prej 15 vitesh dhe gjatë kësaj kohe janë firmosur 14 kontrata për 13 km se duam ta mbajmë më shpejt, thotë hajdute Balluku, që mbrohet nga një bandë e Skrapit.
Po Rruga e Kombit, 64 kilometra që përfundoi në dy vite e gjysëm?
Po Rruga e Bregut, 70 kilometra që përfundoi në dy vite?
Po nuk i ndanim në llokma, ne paguanim tenderin në të gjithë segmentin dhe kërkonim respektimin e afatit.
Pra, ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku, shkon gjithsej me 40 milionë tek 40 përqind e popullatës që jeton në fshat.
Ky buxhet që shkon miliarda tek Lubi Balluku dhe lubitë e tjera të qeverisë, lë gjithsej për rrjetin rrugor mbi 12 mijë kilometra të asfaltuara, lë gjithsej 30 milionë dollarë për mirëmbajtje.
Ky buxhet në mënyrën më cinike nuk pasqyron asnjë rritje rrogash dhe pensionesh, parashikon 16 milionë euro për pensionistët dhe bonusin e blerjes së votës”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)