Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapjen e takimit të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka thënë se në mes të dyja shteteve nuk ka mosmarrëveshje.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë por edhe përmes lidhjeve mes familjeve dhe bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se takimi i sotëm ka një rëndësi simbolike pasi që përkon me 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike.
“Gjatë këtyre viteve kemi nënshkruar mbi 50 marrëveshje e memorandume që na kanë afruar më shumë me njëri-tjetrin. Sot do të nënshkruajmë edhe dy memorandume dhe një protokoll në fushë tgë rëndësishme sikurse energjia, arsimi dhe lehtësimi i lëvizjes së lirë”, tha Kurti.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se marrëdhëniet e mira mes vendeve tona reflektohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë që arriti mbi 432 milionë euro në vitin 2023, rritje e jashtëzakonshme prej 52% krahasuar me vitin 2019.
“Një nga rezultatet kryesore të takimit të sotëm do të jetë nënshkrimi i protokollit teknik që del nga marrëveshja për kalimet e përbashkëta kufitare. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2025 në dy pikat kufitare Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë do të zbatohet modeli hyrje-hyrje ku zyrtarët tanë policor do të punojnë së bashku në një ndërtesë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka theksuar se mirëpresin edhe përfundimin e ndërtimit të autostradës nga Ballaca për në Shkup, dhe jetësimin e tunelit që lidh Prizrenin me Tetovën.
Kurti tutje shtoi se si fqinj që ndjamë një kufi, sigurinë e kemi të ndërlidhur duke shtuar se bashkëpunimi në qështje të sigurisë është shumë i rëndësishëm.
Kryeministri shtoi se e vlerësojnë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në organizatat ndërkombëtare.
“Rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE është rrugëtim i përbashkët dhe ju përgëzoj juve kryeministër Mickoski dhe të gjithë juve ministra të kabinetit qeveritar për reformat e rëndësishme që i keni marrë në këtë drejtim”, tha Kurti.