Është një periudhë me lajme jo të mira për trajnerin e Dinamos, Ilir Daja. Pas dëmtimeve të mëparshme të mbrojtësve Rustem Hoxha dhe Mateo Muzek, ai ka humbur për ndeshjen e këtij vitit kalendarik edhe sulmuesin Dejvi Bregu.
Një gisht i thyer në derbin me Partizanin ka bërë që vlonjati t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe për rikuperimin e plotë i duhen katër deri në gjashtë javë. Një dëmtim ky që vjen në momentin më të mirë për titullarin e Dinamos, autor i 5 golave deri tani. Por jo vetëm kaq, pasi ka edhe probleme të tjera dëmtimesh për stafin teknik të kryeqytetasve.
ALIJI
Për ndeshjen e kësaj jave me Skënderbeun në transfertë është në dyshim edhe Naser Aliji. Ish-futbollisti i Kombëtares ka një shqetësim muskulor dhe mund të mungojë në Korçë. Aliji prej disa javësh luan titullar ne qendër të mbrojtjes së Dinamos, bashkë me kapitenin Bruno Dita. Të dy kishin formuar një dyshe të qëndrueshme këto javë të fundit, falë eksperiencës së gjatë që kanë.
Nëse Aliji nuk ia del deri në fund javë, trajnerit Daja i duhet të gjejë një partner të ri për Ditën. Kujtojmë që aktualisht blutë kanë 3 qendërmbrojtës të dëmtuar, sepse përveç Hoxhës dhe Muzek, është edhe Rufati që ka probleme. I vetmi lojtar i disponueshëm për këtë sektor është Antonio Miço, i cili ka luajtur vetëm pak minuta si zëvendësues deri tani. Nga të gjithë mbrojtësit e qendrës që janë dëmtuar, më afër rikthimit është Hoxha, i cili ka filluar vrapimet dhe këto ditë pritet të bashkohet me grupin.
KORÇA
Për ndeshjen e javës së 14-të të kampionatit Dinamo është e detyruar të zbresë në fushë me ndryshime. Mungesën e Bregut në të majtë të sulmit pritet të plotësojë Lorenco Vila. Trajneri Daja shpreson që Naser Aliji të rikuperohet, në të kundërt duhet të modifikojë edhe mbrojtjen. Ai ka disa ditë në dispozicion për ta përgatitur këtë ndeshje.