Ditën e djeshme përfundoi Panairi i Librit në Tiranë, panairi më prestigjioz që mbledh së bashku për pesë ditë, në Pallatin e Kongreseve, shtëpi botuese të mëdha e të vogla dhe aktorë të tjerë të lidhur me botën e botimeve. Si çdo vit, një nga ngjarjet më të rëndësishme e këtij Panairi lidhet me shpalljen e fituesve të çmimeve në një ceremoni që si tradicionalisht, edhe kësaj here, u organizua ditën e shtunë, 16 nëntor 2024, në orën 12.00.

Kanë qenë disa shtëpi botuese dhe rreth 160 tituj, që morën pjesë në këtë garë.
Po publikojmë sot, pa dyshim për të nderuar autorët e përzgjedhur, por edhe për të orientuar lexuesit që do të vijojnë të blejnë libra të mirë, njoftimin e Jurisë e cila, para se të shpallte fituesit, hartoi një listë të shkurtër të autorëve shqiptarë më të mirë të vitit që dalloheshin për origjinalitet e talent, të përkthyesve që kishin sjellë vepra të rëndësishme të letërsisë së huaj me një nivel cilësie që nuk kufizohej vetëm në besnikëri ndaj gjuhës së origjinalit, por që përfaqësonte një model përkthimi dhe të disa veprave studimore me vlerë.

Kjo listë iu dërgua sekretarisë së Shoqatës në datën 10 nëntor 2024. Për disa arsye, Juria propozoi që lista të mos publikohej paraprakisht, por pas shpalljes së fituesve.
Ja finalistët për çmimet e ndryshme.

Njoftim nga JURIA

Pas dy muajsh shoshitjeje, shqyrtimesh dhe diskutimesh të brendshme, si Juri e Panairit XXVII, kemi përzgjedhur finalistë në tri kategori: a) letërsi shqipe, b) letërsi e huaj e përkthyer në shqip, për përkthyesin, c) letra studimore.
Fatkeqësisht, në zhanrin e letërsisë për fëmijë, nuk gjetëm prurje të mjaftueshme për të dhënë një çmim këtë vit.
Finalistët e përzgjedhur janë këta (renditja nuk nënkupton vlerësim):

Letërsi shqipe:

📚Virion Graçi, SHTATË DRITARET, Shtëpia Botuese Albas
📚Virgjil Muçi, TRI JETËT E ZOTIT P. Shtëpia Botuese Dituria
📚Tom Kuka, I RËNË NGA QIELLI, Shtëpia Botuese Pegi
📚Ervin Nezha, TRI TAVERNAT, Shtëpia Botuese Albas
📚Besnik Mustafaj, PORTA E NGUSHTË E PURGATORIT, Shtëpia Botuese Onufri

Përkthimi letrar

📚Edon Qesari, SHOKU – Cesare Pavese, Shtëpia Botuese Dukagjini
📚Lindita Gjetani, MIRUPAFSHIM ATJE LART – Pierre Lemaitre Shtëpia Botuese Dituria
📚Romeo Çollaku, RETORIKA, Aristoteli, Shtëpia Botuese Albas
📚Milena Selimi, KOHËSTREHIM – Georgi Gospodinov, Shtëpia Botuese Toena
📚Agim Doksani, LOJA – Alessandro Baricco, Shtëpia Botuese Dudaj
📚Sokol Çunga, ANTIGONA, Sofokliu, Shtëpia Botuese Albas

Studime

📚Viola Isufaj, BALADË DRITASH PËR ZORBËN, Akademia e Shkencave
📚Bashkim Kuçuku, SHPREHËSI TË STRUKTURAVE – Shtëpia Botuese Onufri
📚Ardian Vehbiu, PËRRALLËTARËT E GJUHËS SHQIPE – Shtëpia Botuese Naimi
📚Gazmend Krasniqi, SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE – Botimet Jozef
📚Anastas Angjeli, INSTITUCIONET E BRETTON WOODS-IT – Shtëpia Botuese Toena

Juria dëshiron të veçojë edhe një autor studimor këtë vit, i cili, sipas mendimit të Jurisë, meriton një çmim për kontributin gjatë karrierës, që reflektohet në veprën e tij. Pra, besoj se Shoqata do të jetë dakord të japim një Çmim të veçantë karriere.
Në emër të Jurisë, Ilir Baci.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: