Ngjarja e rëndë, e ndodhur në mes të Tiranës, pranë shkollës Fan S. Noli, pak metra larg Prokurorisë së Përgjithshme, ku një 14-vjeçar u godit për vdekje me thikë, dhe një bashkëmoshatar i tij u plagos, shkaktoi debatin e rradhës në sallën e Kuvendit.

Gjatë seancës plenare ku po diskutohet pr/buxheti, deputetja demokrate, Ina Zhupa tha se kjo ngjarje e rëndë tregon se siguria në shkolla ka rënë.

“Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetëm propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe Ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu”, tha Zhupa në Kuvend.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, tha se është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. “Kjo ngjarje na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë, duke luftuar dhunën e të gjitha formave”, tha Manastirliu.

Debati 

Ina Zhupa: Një 14-vjeçar është vrarë para derës së shkollës “Fan Noli”. E kuptoni sa jashtë realitetit është buxheti juaj që ka një kapitull më vete për sigurinë në shkolla? Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetëm propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu. Është rritur siguria në shkolla thotë Manastirliu. Ky është rezultat i punës tënde të mrekullueshme dhe e buxhetit tuaj të mrekullueshëm. Duhet të mbani përgjegjësi bashkë me këtë ministrin e brendshëm, që nuk ka ardhur fare sot!

Ogerta Manastirliu: Jam e tronditur nga humbja e jetës së një 14-vjeçari jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”, ndërkohë që policia po zbardh rrethanat e ngjarjes. Dhimbja është vërtetë e madhe. Është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. Na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë, duke luftuar dhunën e të gjitha formave. Edhe ne kemi rolin tonë në këto seanca. Të jemi shembull të mos promovojmë gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit dhe të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb