Eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, në një lidhje me Skype në News 24 për Çështja e Ditës të moderatorit Klevin Muka, komentoi deklaratat e kryeministrit Rama, për bonuse 100-150 euro për pensionistët.
Çoçoli tha se akti i qeverisë për të shpërndarë bonuse është për t’u përshëndetur. Ai tha se megjithëse është e vështirë, qeveria mund të përpilojë një strategji, ku të vendosë disa prioritete. Sipas Çoçolit, qeveria mund të vendosë prsh që mos të ketë pension nën 150 mijë lekë të vjetra ose që në tre vjet, pensioni mesatar të arrijë 250 euro deri në 300 euro.
Fatos Çoçoli: Bonusi për pensionistët do të jepet përpara 31 janarit. Një shpërblim do të jetë për këtë fundvit dhe shpërblimi tjetër në muajt e parë të 2025. Shifra 100 milionë euro që do shpërndajë Rama nuk është pak në raport me buxhetin që ka Shqipëria. Qeveria duhet ta realizojë këtë me akte normative. Rëndësi ka që pensionistët tanë që janë në gjendje të mjerueshme të përfitojnë diçka. Akti është për t’u përshëndetur, pensionistët do kenë më tepër para.
Jetojmë në vitet më të mira ekonomike që vendi ka parë në këtë tranzicion të dhimbshëm. Ky ka qenë një vit pozitiv ekonomik. Shpresojmë që edhe viti i ardhshëm të jetë pozitiv nga ana ekonomike. Qeveria të vendosë që të mos të ketë pension nën 150 mijë lekë të vjetra. Qeveria duhet të shikojë një strategji, që në tre vjet të kemi pensione mesatare 250-300 euro në muaj.
(BalkanWeb)