Një 14-vjeçar humbi jetën dhe një tjetër u plagos, si pasojë e një konflikti ku janë përfshirë 5 të mitur, tre prej të cilëve dyshohet se janë autorë të ngjarjes së rëndë.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta, u shpreh se ngjarja e rëndë ka ndodhur në një rrugicë, rreth 150 metra larg shkollës Fan S.Noli.
Çelmeta tha se kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë nga policia, tregojnë viktima dhe i plagosuri janë sulmuar nga 3 bashkëmoshatarë të tyre (14 vjeçarë) fillimisht me grushte dhe më pas janë goditur me thikë.
Dyshohet se konflikti ka nisur në rrjetet sociale dhe më pas ka ndodhur edhe përleshja fizike mes tyre.
Policia ka identifikuar 3 personat që dyshohet se janë autorë të krimit, njëri prej të cilëve është shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerët pritet të shoqërohen.
Gazetari Çelmeta tha se referuar banorëve të zonës, dy të miturit që u sulmuan fillimisht janë shoqëruar në ambulancën aty pranë, dhe më pas janë transportuar drejt Traumës, ku njëri prej tyre ka humbur jetën, si pasojë e plagëve me thikë, ndërsa tjetri ndodhet në një gjendje stabël.
Referuar dëshmive të banorëve të zonës, ambulanca që ka bërë transportin drejt Traumës është vonuar rreth 20 minuta.
Çelmeta tha se referuar të dhënave viktima dhe i plagosuri janë nxënës të shkollës Fan S. Noli, ndërsa 3 të tjerët nuk janë nxënës të kësaj shkolle.