Ditën e martë në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca lidhur me ankimimin që ka depozituar ish-Kryeministri Sali Berisha përsa i takon masave të sigurisë të vendosura nga SPAK, pa pyetur Kuvendin, të cilat u shpërfillën nga kreu demokrat me argumentin se Prokurorisë i duhej të merrte një autorizim nga Parlamenti.

SPAK në atë kohë caktoi masat “detyrim paraqitje” dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Më pas SPAK iu drejtua Kuvendit duke i kërkuar autorizimin por me kërkesën për masën e sigurisë “arrest shtëpie” ku prej 11 muajsh Berisha është i izoluar.

Në rubrikën “Opinion” në News24, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj tha se nesër do të shohim drejtësinë në këtë vend.

“Në rastin e masave të sigurisë ndaj Sali Berishës, u anashkalua Kuvendi, iu vendosën masat kufizuese nga SPAK, të cilat ai e refuzoi, sepse nuk u respektua Kushtetuta.

Nëse në këtë vend ka drejtësi dhe anëtarët e Kushtetueses lexojnë siç duhet Kushtetutën dhe zbatojnë ligjin,  ata duhet të japin vendimin e duhur: të rrëzojnë ato masat e kërkuara nga SPAK.  Z. Berisha duhet t’i kthehet liria, është lider i opozitës.  Nuk duhet të harroni se opozita është nën agresion, kemi kryetarin në arrest shtëpie, nënkryetarin e Grupit Parlamentar, Ervin Salianjin e kemi në burg”, tha Gjekmarkaj.

Në vijim, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares Nisida Tufa se si e vlerësonte punën e Prokurorisë Speciale, Gjekmarkaj tha se SPAK duhej të merrej me skandalet e mëdha të kësaj qeverie, me aferat që kanë tronditur secilin prej nesh.

“SPAK duhej të ishte më pak i ndikuar, disa segmente të tij janë të ndikuara politikisht. Rasti i Berishës tregon përdorimin politik të drejtësisë”, tha deputeti demokrat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb