Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, mori pjesë në konferencën rajonale me tematikë mbi praktikat më të mira në parandalimin e korrupsionit, nga politika në veprim, organizuar nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin) dhe UNDP me mbështetjen financiare të UNMIK.
Në fjalën e saj, minstrja Pirdeni theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët rajonal për të forcuar mekanizmat e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, duke vënë në dukje se Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC) përbën kornizën kryesore globale për këtë përpjekje.
“Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të përmbushur detyrimet e saj sipas Konventës, duke promovuar integritetin, llogaridhënien dhe transparencën. Qasja proaktive e qeverisë Shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit dëshmon pikërisht jetësimin e parimeve të UNCAC për garantimin e ndëshkueshmërisë ndaj korrupsionit, si një fenomen që gërryen jo vetëm moralin shoqëror e shtetëror, por kthehet në pengesë serioze për zhvillimin e ekonomik të vendit,” u shpreh ministrja Pirdeni.
Ministrja Pirdeni theksoi se Reforma në Drejtësi po rishkruan faqen e re të Shqipërisë evropiane duke kontribuuar në mënyrë thelbësore për avancimin e procesit të aderimit në BE. Sot, 98% e gjyqtarëve dhe prokurorëve i janë nënshtruar procesit të Vetingut.
“Rreth tetë vite më parë, Shqipëria ndërmori reformën më të thellë, më shembullore dhe më radikale në sistemin e drejtësisë, me qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve në një sistem gjyqësor të bazuar në integritet, transparencë, profesionalizëm, efikasitet dhe mbi të gjitha, në pavarësi. Në kuadër të kësaj reforme të re, gjyqtarët dhe prokurorët po vlerësohen aktualisht bazuar tek pasuria e tyre, integriteti dhe aftësitë profesionale. Procesi i Vetingut i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve sot është në prag të përfundimit me 794 çështje të mbyllura nga 805 në total,” tha ministrja Pirdeni.
Më tej, ministrja Pirdeni u ndal tek Strategjia Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, dokumenti politik themelor që parashtron zotimet konkrete të të gjitha institucioneve përgjegjëse për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Në Strategji janë evidentuar sektorët më të riskuar tha ministrja Pirdeni si: Pronat, Tatimet dhe Doganat, Shëndetësia, Kontratat Publike (Prokurimet dhe Koncensionet) dhe Arsimi. Për herë të parë Strategjia shtrihet dhe zbatohet dhe ndaj institucioneve të qeverisjes vendore dhe synon promovimin e integritetit edhe në sektorin privat. Fokus të dedikuar merr gjithashtu mbrujtja e të rinjve me parimet e integritetit dhe ligjshmërisë.
“Më datë 4 nëntor 2024, lançuam kuadrin e ri strategjik antikorrupsion 2024 – 2030, ku në fokus kemi ndër të tjera, thellimin e masave në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare që ka Shqipëria në kuadër të rrugëtimit të saj për aderimin në BE, përfshirë dhe përqafimin e një qasje sektorale të luftës kundër korrupsionit në sektorët më të ndjeshëm dhe edukimin e shtuar për integritetin dhe ligjshmërinë, si masë e fuqishme dhe me efekte afatgjata, me qëllim rritjen e një brezi shumë më të ndërgjegjshëm në shoqëri. Procesi i miratimit të kësaj strategjie përkon me një moment me rëndesi historike në rrugëtimin e Shqipërisë në BE, çeljen e Grup-Kapitullit të parë “Themeloret”. Ky dokument strategjik është në një linje me përpjekjet për të forcuar standardet e mireqeverisjes dhe modernizimit të mëtejshëm të të gjithë aparatit tone shtetëror dhe i qëndron vizionit të Shqipërisë që ngre dita-ditës mure mbrojtëse kundër korrupsionit. Sot, Strategjia Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030 vjen si një akt, i cili i përgjigjet dhe adreson të gjitha detyrimet që burojnë nga Raport Progresi i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë, dhe mbi te gjitha, si një nevojë e brendshme për të rritur dhe bashkuar forcat me një objektiv të qartë: Modernizimin e qeverisjes nga njëra anë dhe luftën e pakompromisë ndaj çdo sjellje që njollos figurën e zyrtarit publik apo çdo veprimi që gërryen në thelb themelet e ofrimit të shërbimit kah qytetarit me ndershmëri dhe integritet,” u shpreh ministrja Pirdeni.
Në konferencën, ku morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti dhe mbi 50 vendimmarrës dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë, u diskutua për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë mes aktorëve rajonalë dhe harmonizimin e praktikave për një qasje më të integruar dhe efektive kundër korrupsionit.