Kryeqyteti është tronditur mesnatën e kaluar nga një atentat mafioz që i mori jetën një 28-vjeçari. Por ky është atentati i dytë që trondit Tiranën në vetëm pak ditë.

VRASJA E PARË
Më 13 nëntor pak para mesnatës u ekzekutua me një plumb në kokë biznesmeni Eduart Reçi. 52-vjeçari u vra pak metra larg shtëpisë, në sheshpushimin e pallatit pronë të tij. Reçi, u qëllua me një plumb në kokë, dhe ndërroi më pas jetë në spitalin e Traumës.

52-vjeçari u qëllua nga distanca me pushkë me dylbi. Ngjarje kjo ende mister dhe po ashtu grupi hetimor nuk ka një pistë konkrete për motivet.
Reçi ishte babai i dy djemve dhe ishte sipërmarrës në fushën e ndërtimit. Po kështu mësohet se 52-vjeçari ka punuar para shumë vitesh në SHISH.

Burime nga grupi hetimor pohuan se ka dyshime se autori dhe bashkëpunëtorë të tij prej disa ditësh kanë monitoruar dhe studiuar me detaje zonën për të parë se ku ka kamera sigurie me qëllim që të mos fiksohen gjatë atentatit.

Po ashtu kanë vëzhguar edhe lëvizjet e biznesmenit në afërsi të rrugës “Faik Konica” ku kishte edhe banesën. Hetuesit kanë dyshime se 52-vjeçari është qëlluar nga distanca me pushkë gjysmë automatike e pajisur me dylbi.

VRASJA E DYTË
Sapo kishte kaluar mesnata në Tiranë, kur në një zonë të njohur dhe të populluar, e njohur si Xhamlliku, një i ri ekzekutohet me armë me silenciator. Plot 5 plumba u derdhën me të, duke mos lënë asnjë shans për mbijetesë. Viktimë mbeti 28-vjeçari Klajdi Prendi, i cili u qëllua sapo hipi në makinë nga persona të paidentifikuar nga policia në atë që duket një atentat i mirëfilltë mafioz.

Nuk dihen ende pistat ku po heton policia apo lidhjet e mundshme të të riut me botën e krimit. Prendi sapo kishte dalë nga lokali dhe po hipte në makinë, me siguri për t’u kthye në shtëpi. Një udhëtim i papërfunduar kurrë.

Prendi ndërroi jetë në spital, teksa makina e autorëve u gjet e djegur në Farkë. 28-vjeçari ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb