Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka prezantuar drejtuesit e rinj të policisë në Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht Fatmir Lleshajn dhe Altin Menën.

Gjatë prezantimit të drejtorit Lleshaj, ministri Hoxha kërkoi rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë në tërësi, krimit të organizuar në veçanti dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, me fokus të veçantë tek parandalimi i këtyre ngjarjeve duke vlerësuar me prioritet çdo informacion apo të dhënë që vjen nga inteligjenca apo qytetarët.

Duke falënderuar ish-drejtorin Edmond Sulajn për kontributin, ministri Hoxha tha se nën udhëheqjen e tij u arritën rezultate të rëndësishme, veçanërisht në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, problem që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe përkushtim.

“Megjithatë, sfida mbetet dhe është e qartë: Grupet kriminale vazhdojnë të jenë një kërcënim për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve të Shkodrës. Ngjarjet e fundit kanë treguar se është urgjente nevoja për të forcuar operacionet dhe për të krijuar një mjedis ku krimi nuk gjen hapësirë për të vepruar. Lleshaj ka detyrën dhe përgjegjësinë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, për të punuar ngushtë me të gjitha strukturat dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetin”, tha Hoxha.

Ministri Hoxha prezantoi edhe drejtorin e ri të qarkut Lezhë, Altin Mena.

“Gjatë ushtrimit të detyrave, ka qenë pjesë aktive e sukseseve të arritura së bashku me Drejtorin në detyrë Alfred Elezin, të cilin e falënderova për punën e bërë. Ndër arritjet e spikatura të kësaj drejtorie kanë qenë menaxhimi i suksesshëm i rendit dhe sigurisë gjatë një sezoni turistik tejet i ngarkuar dhe, veçanërisht, përpjekjet në luftën kundër narkotikëve. Por duhet ende punë sidomos sa i përket parandalimit të ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare duke bashkëpunuar ngushtë me IKMT-në. Ky është një prioritet që kërkon angazhim të plotë dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Lezha si një qark me rëndësi të veçantë për shkak të potencialit turistik dhe zhvillimeve ekonomike, ka mjaft sfida që duhen adresuar, prandaj kërkohet një temp i ri pune dhe arritje të qëndrueshme”, tha Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb