Në Apelin e GJKKO po mbahet sot seanca ndaj ankimimit të kreut të PL, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit ndaj masës së sigurisë.
Në mbrojtjen e bërë sot para gjykatës, Meta ka zgjedhur që sërish t’ia hedhë fajin bashkëshortes së tij, duke theksuar se ai ka vepruar gjithmonë në mirëbesim.
Sipas tij ka qenë Kryemadhi ajo që merrej me plotësimin e formularëve të pasurisë dhe se ai vetë kurrë nuk ka refuzuar të deklarojë pasurinë sipas nenit 5 të ILDKPI.
Pjesë nga deklarata e Metës:
Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze.
Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo.
Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.
Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.
(BalkanWeb)