Presidenti i PL, Ilir Meta ka folur sot gjatë seancës në Apelin e Posaçëm lidhur me akuzat e SPAK në adresë të tij, sa i takon lobimit në SHBA. Prokuroria e Posaçme akuzon Metën se nuk ka deklaruar 460 mijë dollarë të lobuara në SHBA, për LSI-në.
Gjatë mbrojtjes së tij, Meta ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të kontratës që ishte firmosur me McKeon Group. Ndërsa shton se pagesa prej 15 mijë dollarë për interes të kësaj kompanie është paguar me kërkesë të ish-deputetit të LSI, Vangjel Tavo.
Meta para Apelit të Posaçëm:
Lidhur me dyshimet për përfshirjen time në veprime të paligjshme me lobimet, distancohem me neveri nga përpjekjet e qëllimshme të SPAK-ut, pa asnjë provë, për të më implikuar përmes hamendësimeve kur e ka patur të gjithë kohën për të paraqitur prova që më ngarkojnë mua me përgjegjësi penale.
Përgjegjësia penale është individuale.
Edhe tani që unë ndodhem në këtë sallë gjyqi dikush apo disa persona mund të kryejnë veprime spekulative pa dijeninë dhe autorizimin tim diku në shkelje të ligjeve.
Është e sigurtë që çdo veprim, vendim Kryesie i LSI, autorizim i lëshuar nga unë ka qenë i ligjshëm dhe transparent në respekt të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Siç është e sigurtë që një shtetas greko-amerikan, avokat Fidetzis, kishte firmosur pa dijeninë time një kontratë me McKeon Group, që u denoncua nga ana ime te Presidenti i këtij grupi dhe i cili më pas i bëri letër zyrtare Departamentit të Drejtësisë (të cilën do e keni bashkëngjitur) duke i thënë se pasi u takuam me Kryetarin e Parlamentit dhe të LSI, Z. Meta, ai na informoi se personi që ka firmosur në emër të LSI nuk ka qenë i autorizuar prej tij dhe po kështu edhe fushat e bashkëpunimit janë të ndryshme. Ndaj kërkojmë që ajo të konsiderohet e pavlefshme.
Ndërkohë pagesa 15,000 USD për llogari të kësaj kompanie është bërë në mënyrë transparente nga Kryesia e LSI me kërkesën e Z. Vangjel Tavo, anëtar i Kryesisë dhe deputet, i cili ishte edhe ndërmjetësi që insistoi për takimin me Fidetzis në Athinë në fund të Nëntorit ose Dhjetor 2016.
Po kështu ishte Z. Tavo që insistoi për një pagesë 15,000 USD për McKeon Group bazuar në premtimet e avokatit greko-amerikan se kjo kompani do të ishte shumë me ndikim.
Por kur shkuam në Uashington për inagurimin e Presidentit Tramp, ftesat për të cilën ishin siguruar më parë nga Kongresi, u çudita kur u njoha nga Presidenti i McKeon Group me marrëveshjen që kishte firmosur Fidetzis në emër të LSI dhe i kërkova atij që ajo marrëveshje të anullohej sepse nuk ishte e autorizuar nga unë dhe se fushat e bashkëpunimit që ne ishim të interesuar ishin të ndryshme nga ato që kishte firmosur Fidetzis.
Kontaktet me kompaninë McKeon Group vazhduan edhe pak kohë por kurrë nuk u finalizua një marrëveshje për arsye se ofronin shërbime shumë të shtrenjta dhe që nuk ishin të përballueshme nga ne.
Ndërsa lidhur me pretendimin se më pas u bë një marrëveshje me McKeon Group përmes “Dorelita” të Fidetzis ky është një mashtrim dhe manipulim skandaloz.
Për herë të parë ekzistencën e “Dorelita” e kam dëgjuar kur “Mother Jones” publikoi një shkrim të sponsorizuar.
Që Fidetzis ishte mashtrues, për këtë u binda që në takimin e dytë në Uashington kur e denoncova te Presidenti i McKeon Group.
Asnjëherë se kam autorizuar këtë person për të më përfaqësuar pranë McKeon Group e kujtdo, direkt apo indirekt.
Po kështu, as numrin e telefonit të tij apo adresë email nuk kam patur edhe nuk isha i interesuar.
Çdo kontakt e kam patur me të vetëm përmes Z. Tavo, i cili ishte edhe ndërmjetësi i takimit me të në Greqi, në Nëntor ose Dhjetor 2016.
Po kështu, në Mars-Prill 2017 unë nuk kam qenë në SHBA, nuk kam bërë takime dhe as kisha interes sepse isha zgjedhur President më 18 Prill.
Dua të nënvizoj se me manipulimet e çështjeve CEZ-DIA dhe këtë të McKeon Group është marrë personalisht Charles McGonigal, ish-zyrtar i lartë i FBI, sot në burg.
Po kështu, ai u mor edhe me çështjen e atentatit gjoja kundër deputetëve Doshi-Fufi me kërkesë dhe porosi të Kryeministrit, kryekorruptuesit të ndërkombëtarëve, me qëllim eleminimin e opozitës dhe garantimin e pandëshkueshmërisë së tij.
Ndaj jo rastësisht çështja CEZ-DIA që ishte gjykuar disa herë më parë dhe për të cilën ishin dhënë dënime, u rihap pikërisht në vitin 2018 përmes një kallëzuesi si Romeo Kara.
Prandaj jo rastësisht në 2018 u inskenua një intervistë në mërgim e Vojsava Ismailit me një gazetar, Fatos Mahmutaj dhe jo rastësisht këtë çështje e mori përsipër Altin Dumani në dhjetor 2019 në kulmin e konfliktit tim si President me Kryeministrin Rama dhe McGonigalët, për të mos lejuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me marrëdhëniet e LSI me dy kompani të tjera lobuese të prezantuara nga shqiptaro-amerikani, Adrian Shatku, çdo vendim dhe autorizim i lëshuar nga unë për këto marrëdhënie ka qënë në respekt ekstrem të ligjeve shqiptare dhe amerikane.
Nëse ka veprime të paligjshme nga ky person apo kushdo tjetër, SPAK-u t’i vendosë përpara përgjegjësisë penale në Shqipëri apo SHBA në bashkëpunim me drejtësinë amerikane.
Dua të sqaroj se asnjëherë nuk kam përfituar asnjë gjë nga ky person përveç njohjes që kemi patur për arsye të origjinës së tij dibrane dhe miqësive që kishte me të afërm të mi për këtë shkak.
Siç e kam deklaruar në SPAK prej kohësh, kisha vënë në dyshim seriozitetin e tij dhe ftohur marrëdhëniet me të dhe për këtë kisha paralajmëruar edhe të afërmit, por edhe bashkëpunëtorët e mi, që kishin kontakte të afërta me të.
Lidhur me pretendimet për mosdeklarime
të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze.
Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.
Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo.
Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.
Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI.
Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.
Si përfundim Zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen.
Ky hetim skandaloz i sponsorizuar nga Qeveria dhe McGonigalët, i bazuar në mashtrime, manipulime dhe njëanshmëri ekstreme, i konkluduar me një rrëmbim banditesk, siç e kanë parë të gjithë nga banditë me maska, që hyjnë dhunshëm në makinë me armatim të rëndë, që nuk identifikohen, që nuk japin asnjë shkresë apo akt zyrtar, që nuk të lejojnë të kontaktosh avokatin, që nuk të njohin me të drejtat e tua dhe që dhunshëm të fusin në një makinë private për të të çuar në Drejtorinë e Policisë, ku vetëm pas dy orësh vijnë oficerët e Policisë Gjyqësore, duhet të marrë fund.
Unë asnjëherë nuk i kam refuzuar ftesat e SPAK-ut.
Unë nuk kam asnjë pozitë, mundësi të prish provat, sepse prova as nuk ka përveç intervistave dhe hamendësimeve.
Unë as e imagjinoj të arratisem dhe nëse ekziston ky shqetësim ju mund të vendosni të bllokoni pasaportën time.
Por unë jam ish-President, gëzoj këtë status ende dhe juridikisht dhe President i Partisë së dytë opozitare në vend dhe Partia e tretë prej 20 vitesh.
Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.
Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës.
Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë.
(BalkanWeb)