Profesori i njohur Edmond Dragoti në rubrikën “Opinion” në News24 duke folur për ngjarjen e rëndë të një dite më parë ku një 14-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua me thikë nga një bashkëmoshatar, tha se adoleshentët janë mosha më e rrezikshme pasi janë të papërgjegjshëm, nuk kanë ekujlibrin e duhur dhe nuk llogarisin kostot dhe pasojat e veprimeve të tyre.
Dragoti tha se adoleshenti është në momentin kur po krijon identitetin e vet personal, por ai ka disa ideale si ato të të fortëve, të heronjve të filmave.
“Prindërit nuk kanë kohë të mjaftueshne për t’u marrë me fëmijët. Një adoleshent shpesh është mekanizëm mbrojtës, por kur nuk njohin kufinjtë e caktuar bëhën të rrezikshëm për shoqërinë.
Ata nisen nga ajo se çfarë fitojnë? Fitojnë popullaritet, emër në shoqëri. Familja luan rolin kryesor për edukimin, por edhe shkolla luan një rol mjaft të rëndësishëm. Rol të rëndësishëm ka edhe komuniteti, megjithëse është zbehur roli i tij. Elementë të tillë siç janë solidariteti janë zbehur. Adoleshenca është mosha më e rrezikshme, janë të papërgjegjshëm, nuk kanë ekujlibrin e duhur, nuk llogarisin kostot”, tha Dragoti.
Profesori tha se është e rëndësishme që shoqëria të ketë një siguri në të ardhmen dhe kjo do të thotë se çdo faktor apo aktor duhet të bëjë rolin e tij, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
“Do të ishte shumë e thjeshtë që të gjenin fajtorin, ta përjashtonim dhe jeta do vazhdonte qetë, por nuk kemi një fajtor, janë disa faktorë që bashkohen”, tha Dragoti.