Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali, në fjalën e saj në Kuvend tha se projekt-buxheti i vitit 2025 është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë.
Spiropali theksoi se ky projekt-buxhet garanton rritjen e pagave për sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat.
“Buxheti është burim zhvillimi për një ekonomi më të fortë. Buxheti garanton rritjen e pagave në sektorin shtetëror dhe mbështet sektorin privat, që të ketë mundësi për rritje pagash për punonjësit. Pensionet rriten nga fondi i pensioneve. Buxheti 2025 synon që të rritet ky fond. Ne nuk kemi harruar mbështetjen për pensionistët që nuk kanë derdhur kontribute, që meritojnë të kenë mbështetje nga shteti shqiptar.
Projekt-buxheti mbështet komunitetet lokale. Ky është një buxhet real, që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë në këtë fazë. Shpreh falënderimin për të gjithë deputetët, por edhe ekspertët që dhanë kontribut për të përmirësuar projekt-buxhetin e vitit 2025”, tha Spiropali.
Fjala e plotë e kryetares së parlamentit, Elisa Spiropali:
Të dashur qytetarë të Shqipërisë,
Të nderuar deputetë,
Në ditën ë dytë të diskutimeve për shqyrtimin në parim të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025”, dëshiroj të them dy fjalë mbi vizionin dhe objektivat e këtij buxheti, si edhe procedurën parlamentare, pra rrugën që ndoqi shqyrtimi i ligjit më të rëndësishëm të këtij sesioni, deri në seancën e sotme.
Nënvizoj se duke miratuar buxhetin e vitit 2025 nuk miratojmë thjesht një ligj ekonomik e financiar, por një dokument me rëndësi thelbësore, i cili udhëhiqet nga vizioni për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë për të gjithë. Një shoqëri ku të gjithë të kenë akses të barabartë në burimet e shoqërisë, siç kanë gjithashtu edhe detyrime të njëjta para saj. Po miratojmë pra, një dokument që ka, jo vetëm shifra dhe statistika, por edhe zemër e vizion.
Buxhetin duhet ta kuptojmë si një burim zhvillimi për një Shqipëri me ekonomi të fortë e drejtësi sociale.
Një Shqipëri me ekonomi, tregje, sektorë konkurrues, por edhe me njerëz, institucione dhe komunitete solidare që ndërtojnë një shoqëri që mbron qytetarët nga dhuna dhe abuzimi.
Prej dje mundohem t’i mbaj lotët për Martinin, 14-vjeçarin që humbi jetën tragjikisht prej një bashkëmoshatari të tij, që dyshohet se e ka zanafillën në gjuhën e urrejtjes, dhunën dhe abuzimin që vjen nga rrjetet sociale.
Kjo dhunë një fëmije i mori jetën, një tjetër e shtye në krim. Ngushëllime familjes së djalit viktimë të dhunës. Jemi pranë jush në dhimbjen tuaj të madhe. Shërim të shpejtë djalit të plagosur.
Nuk është në nderin tonë që kjo ngjarje e rëndë të përdoret për politikë të ditës prej kujtdoqoftë. Detyra jonë është të reagojmë vendosomërisht dhe institucionalisht, të bëhemi bashkë për rregullime ligjore kundër dhunës në internet dhe rrjete sociale, rrjete që ngjajnë më tepër më një xhungël ku denigrimi, urrejtja, bullizmi, përdhosja e dinjitetit, janë kthyer në normë. Të kërkojmë më shumë llogari me më shumë përkushtim e përgjegjshmëri për zbatimin e ligjeve për siguri në shkolla, edukim dhe arsim cilësor.
Të punojmë për një Shqipëri ku rriten investimet, por paralel me to shtohen burimet, mundësitë dhe kujdesi për njerëzit në nevojë, të paaftët, të dobtët, të sëmurët, njerëzit me aftësi ndryshe.
Një shoqëri ku forcohen institucionet dhe pavarësia e pushteteve, mbështet individët, qytetarët, dhe garanton të drejtat për të gjithë. Një shoqëri që jep drejtësi jo vetëm në sallën e gjyqit, por edhe në të gjithë nivelet dhe aspektet e jetës së qytetarëve të saj. Një Shqipëri që mbështet bizneset dhe sektorin privat si motori i shoqërisë, por që kujdeset po aq edhe për qytetarët si pasuria më e çmuar e këtij vendi.
Që nxit konkurrencën, meritën dhe lehtëson me incentiva financiarë e fiskalë bizneset, por kujdeset edhe që qytetarëve të mos u përplasen dyert e zyrave të shtetit në fytyrë, që nxënësit të kenë shkolla më të mira e mësues cilësorë, që të sëmurët të kenë ndihmë mjeksore, mjekë të përkushtuar, dhe në çdo kohë ilaçet për të cilat kanë nevojë.
Një Shqipëri ku jeta zhvillohet në qytete, njësoj si dhe në fshatra e zonat rurale. Buxheti nuk është buxhet për ekonominë në vetvete, por totalisht për njerëzit.
II.
Prandaj projekt-Ligji i Buxhetit 2025 duhet të mobilizojë burimet financiare e njerëzore për realizimin e vizionit tonë të qartë për rrugën që do të ndjekë Shqipëria vitin e ardhshëm, prioritetet e zhvillimit, sektorët kryesorë të investimeve publike, përdorimin e burimeve kombëtare për të forcuar ekonominë, garantuar rritjen ekonomike dhe “përkthimin” e kësaj rritjeje në mirëqenie për të gjithë qytetarët.
Siç u nënvizua edhe gjatë diskutimeve, buxheti i vitit 2025 garanton trendin pozitiv të tre indikatorëve të rëndësishëm makroekonomikë: Qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në nivelin 3.9 përqind.
Rritjen e të ardhurave buxhetore e tatimore.
Uljen e borxhit publik.
Stabiliteti makro-ekonomik është garanci për përmirësimin e treguesve mikro-ekonomik, përmirësimin e gjendjes së bizneseve, familjeve dhe qytetarëve.
Buxheti synon krijimin e kushteve për zhvillim e mirëqenie, jo duke u mbështetur në slogane, britma politike e elektorale dhe populizëm, por në një logjikë racionale zhvillimore, ekonomike e financiare.
Një tipar dallues i këtij buxheti është lidhja e drejtpërdrejtë e treguesve të zhvillimit me pëmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve, pra ndikimi i rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.
Do rriten financimet buxhetore për të gjithë sektorët: arsimin, shëndetësinë, turizmin, bujqësinë, infrastrukturën, energjinë etj.
Buxheti adreson në mënyrë prioritare sektorët e zhvillimit social dhe njerëzor, jo me karamele elektorale, por me politika afatgjata dhe programe zhvillimi.
Ofrimi i shërbimeve publike dhe adresimi i problemeve të grupeve në nevojë të popullsisë bëhet jo thjesht duke u dhënë përparësi politikave rishpërndarëse, por financimin e politikave zhvillimore që garantojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë ekonomike.
Buxheti niset nga vizioni se qëllimi i qeverisjes nuk duhet të jetë varësia e qytetarëve nga skemat e ndihmave pasive të shërbimeve sociale, por zgjerimi i aksesit të tyre në tregun e punës dhe kultivimi i shpirtit dhe iniciativave sipërmarrëse individuale, lokale, kombëtare.
Suksesi i reformave në sistemin e mirëqenies, nuk matet me shtimin e numrit të njerëzve që hyjnë, por të atyre që dalin nga skemat e ndihmës, për një jetë më të lartë, më produktive, më cilësore.
Kujdesi për grupet në nevojë nuk duhet të ofrohet thjesht si përfitim financiar, por edhe si zgjerim aksesi në shërbimet publike. Një shtesë ndihme ekonomike, përfitimesh papunësie a pensioni është kurdoherë e dobishme, por më shumë të dobishme janë për qytetarët përmirësimi i shërbimeve në qendrat shëndetësore, i shkollave, rrugëve kombëtare e rurale, furnizimit me energji dhe ujë, shërbime këto që sjellin një përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së jetës.
Buxheti garanton rritjen e nivelit të pagave për të gjithë punonjësit e administratës vendore, dhe mbështet sektorin privat për garantimin e rritjes së pagave dhe përfitimeve edhe për punonjësit e këtij sektori.
I ndoqa me vëmendje të gjitha diskutimet dhe referencat ndaj pensionistëve dhe skemës së pensioneve. Dy fjalë për këtë:
Nuk është çështja të bëjmë garë kush ngre zërin më fort e më lart për pensionistët. Rritja e pensioneve nuk vjen nga emocionet tona, por nga rritja e Fondit të Pensioneve nga burime të qëndrueshme. Fondi i pensioneve është një rezervuar që furnizohet nga kontributet dhe buxheti i shtetit. Sa më shumë të rriten kontributet, aq më e qëndrueshme bëhet skema e pensioneve.
Projekt-buxheti i vitit 2025 synon fillimin e çlirimit gradual të skemës së pensioneve nga varësia buxhetore dhe mbështetja e saj kryesisht në burimet kontributive, duke përgatitur kushtet për qëndrueshmërinë afatgjatë të skemës së pensioneve.
Këtë synon hapja e vendeve të punës dhe lufta kundër informalitetit në ekonomi dhe tregun e punës, një proces që ka filluar para një dekade.
Verifikimi i impaktit pozitiv të reformës së pensioneve dhe plotësimi i saj me elemente të rinj do të shërbejnë edhe për rritjen e drejtësisë sociale brenda skemës, duke ndjekur parimin “Kush kontribuon më shumë, përfiton më shumë”, pa harruar mbështetjen me pension social dhe shërbime të tjera plotësuese për të moshuarit që nuk kanë derdhur kontribute.
Projekt-Buxheti parashikon gjithashtu rritjen e Fondit për Sigurimet e Kujdesit Shëndetësor, të Fondit të Kompensimit të Pronarëve, pagesës së papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, përfitimeve për invalidët e punës, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.
Projekt-Buxheti mobilizon më shumë burime financiare për pushtetin vendor, më shumë mbështetje e kujdes për komunitetet lokale.
Ky nuk është një buxhet ideal. Ky është një buxhet real që mbështetet në mundësitë që ka vendi dhe ekonomia jonë.
Projektbuxheti i vitit 2025 përbën një instrument të rëndësishëm për t’i siguruar ekonomisë dhe shoqërisë një mbështetje realiste brenda burimeve e kapaciteteve aktuale te vendit, duke synuar dhe jetësimin e reformave të domosdoshme që duhen ndërmarrë, lidhur me integrimin me ritme të shpejta në Bashkimin Europian.
Këtij synimi i shërben edhe gërshetimi së shpejti i këtij projektbuxheti me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin ekonomik e social të vendit tonë me vendet e Bashkimit Europian. Këtë garanci mora edhe gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, në Bruksel, në 6 nëntor, ku entuziazmi për Shqipërinë anëtarë të BE është i dukshëm dhe shumë frymëzues.
Për më tepër, ky projektbuxhet krijon premisa optimale për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, jo vetëm për vitin 2025, por dhe më tej.
Ju falenderoj të gjithë ju deputete e deputetë për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë proces sa konstruktiv dhe transparent për shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji të rëndësishëm.
III.
Dokumenti që miratojmë sot është hartuar nëpërmjet një procesi të hapur gjithëpërfshirës, me kontributin e të gjithë aktorëve politikë e shoqërorë.
Përveç seancës plenare, shqyrtimi i projekt-buxhetit është paraprirë nga një punë e gjatë dhe diskutime e debate të forta në komsionet e përhershme parlamentare.
Komisionet e përhershme parlamentare zhvilluan 28 mbledhje, 34 seanca dëgjimore me institucionet e pavarura dhe agjencitë shtetërore dhe 4 seanca dëgjimore me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.
Në 66 veprimtaritë shqyrtuese dhe në rreth 100 orët dedikuar diskutimit të buxhetit, morën pjesë, përveç deputetëve, edhe shumë e shumë të tjerë: anëtarë të Qeverisë, drejtues të institucioneve të pavarura, ekspertë, veprimtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit etj. Mirënjohje të gjithë atyre që me diskutimet e tyre pasuruan jo vetëm procesin, por edhe përmbajtjen e projektligjit.
Këto veprimtari i dhanë procesit një karakter gjithëpërfshirës dhe transparent sepse të gjitha diskutimet tona i janë transmetuar publikut dhe qytetarëve.
Falenderoj median dhe gazetarët, të cilët kanë përcjellë diskutimet tona dhe u kanë dhënë qytetarëve mundësinë të na dëgjojnë e vlerësojnë për punën që kemi bërë e po bëjmë.
Shpreh vlerësimin tim për punën e komisioneve të përhershme, angazhimin dhe përkushtimin e tyre për të dëgjuar e konsideruar të gjitha vërejtjet e propozimet për përmirësimin e projektligjit.
Falenderoj të gjithë kolegët deputetë, grupet parlamentare si edhe kolegët jashtë grupeve për kontributin që dhanë.
Askund më mirë dhe më shumë se në Kuvend dhe debatin parlamentar ne, deputetët, nuk mund të ushtrojmë përgjegjësitë tona parlamentare, nuk mund të diskutojmë, pse jo edhe ta kundërshtojmë njeri-tjetrin, dhe të vendosim bashkarisht për të mirën e qytetarëve.
Ju faleminderit. Na vaftë mbarë!
(Balkanweb)