Raundi i parë i kualifikueseve të Kampionatit Europian U-19 2025 uli siparin ditën e sotme. Ndeshjet e grupit 11, ku merrnin pjesë Shqipëria, Danimarka, Izraeli dhe Irlanda e Veriut u luajtën në vendin tonë nën organizimin e Federatës së Futbollit.
Kombëtarja shqiptare U-19 luajti sot ndeshjen e fundit ndaj Irlandës së Veriut në “Elbasan Arena”. Ky takim u fitua nga Irlanda e Veriut me rezultatin minimal 1-0.
Trajneri Julian Ahmataj e nisi me këtë formacion ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut: Alain Taho (GK), Fabjan Perndreca, Adi Kurti, Antonios Dama, Jordi Jaku, Dean Vranici, Frederik Tosku, Franci Hysalliu, Denis Prendi, Rajmond Marinaj, Ergis Arifi.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, 0-0. Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 88-të. Për Irlandën e Veriut realizoi Graham Braiden.
Ndeshja tjetër e grupit, Danimarkë – Izrael, u luajt në “Shtëpinë e Futbollit”. Ky takim u fitua nga danezët me rezultatin 3-2.