Vrasja e rëndë e 14-vjeçarit Martin Cani, pranë shkollës “Fan Noli”, nga një bashkëmoshatar i tij, ka shkaktuar një tronditje të thellë në opinionin publik shqiptar. Ngjarja ka sjellë reagime të shumta, përfshirë ato të personaliteteve të njohura në rrjetet sociale.
Një postim prekës ka shpërndarë aktori, Julian Deda, i cili ka ndarë një kujtim me të ndjerin në llogarinë e tij Instagram. Deda publikoi një foto të vitit 2021, ku shfaqej së bashku me 14-vjeçarin, dhe e shoqëroi me një mesazh ngushëllimi.
“Prehu në paqe, i dashur Martin. A mund ta bëjmë një foto bashkë, edhe pse nuk ka kaluar ende një dekadë? Edhe pse fati tragjik i ndërpreu ëndrrat në mes? Megjithatë, do e mbaj gjithmonë këtë foto me ty, o kampion. Na pikëllove të gjithëve, por Zoti i do pranë vetes djemtë e mirë. Qofsh mirë me Të. Ngushëllime të sinqerta familjes,” shkroi Julian Deda.
Fotografia, që ishte publikuar për herë të parë nga familja e tij, shoqërohej me një mbishkrim: “Tani dola unë në foto me Julin, por pas 10 vitesh do jetë ai që do kërkojë të dalë me mua.”