Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për ta lënë në burg, duke akuzuar drejtësinë se është nën kontrollin e një “Narkoshteti” dhe se gjykatat janë thjesht vegla të këtij sistemi.

Meta e cilësoi vendimin e gjykatës si “asnjë çudi dhe asnjë surprizë”, duke theksuar se ky është një konfirmim i mëtejshëm i ndikimit të pushtetit të faktuar në sistemin gjyqësor.

“Afërmendsh u rikonfirmua sërish se gjykatat janë thjesht dhe vetëm vegla qorre nën urdhrin dhe diktatin e Narkoregjimit DumDuman,” shkruhet në profilin e Ilir Metës, në një postim në Facebook.

Meta e quajti vendimin një “veprim të mjerë të Narkoregjimit” dhe theksoi se ky nuk do të ndalë betejën e Partisë së Lirisë për të çmontuar Narkoshtetin dhe rikthyer shtetin e së drejtës. Ai theksoi se qëllimi i partisë së tij është mbrojtja e lirisë, të drejtave dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë, si dhe ruajtja e demokracisë dhe pluralizmit politik në vend.

“Kjo betejë do të vazhdojë për realizimin e 5 Prioriteteve tona, për të siguruar një të ardhme më të mirë për 4 milion shqiptarë plus,” përfundoi Meta në reagimin e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb