Në emisionin Me zemër të hapur në News 24 u trajtua historia e një 28-vjeçareje, e cila tregoi se ka kaluar një jetë të mbushur plot me peripeci. Ajo tha se është rritur në një familje me babanë dhe vjehrrën, duke thënë se nuk ka ndjerë dashuri familjare.

E reja tha se kur ka qenë e vogël, ka parë vjehrrën që ka bërë sherr me atë që pretendon se është nëna e saj biologjike. Ajo thotë se e di se kush është nëna e saj biologjike, por babai nuk e ka lejuar ta takojë.

Më tej, vajza deklaroi se kur ka qenë në vit të fundit në gjimnaz ka njohur një djalë me origjinë nga Kosova, që jetonte në Itali. Ajo tha se ka konsumuar me të një lidhje të gjatë dhe se është ndarë, pasi familja e saj nuk ka pranuar që ajo të martohet me të. E reja pretendon se nga lidhja e saj ka lindur një djalë dhe thotë se ka humbur edhe memorien. Sipas saj, fëmija i saj sot është birësuar.

Dëshmia e 28-vjeçares: Jam rritur në një familje, ku gjyshërit janë kujdesur shumë për mua. Unë mendoja se ajo që më rriti ishte nëna ime, por nuk ishte kështu. E kuptova se nuk ishte nëna ime, edhe nga sjellja. Mua më erdhi një kërkesë nga nëna biologjike dhe e takova në një market, ku ajo shiste. Nëna e kishte të ndaluar të më takonte, sepse babai im kishte të drejtën ligjore të më mbante mua. Njerka më ka thënë që kjo shitësja është nëna jote. Nëna dhe njerka bënë sherr për të më marrë. Por më mori babai, e kështu nëna ime biologjike ka vijuar jetën e vet.

Jeta vazhdoi dhe në fund të gjimnazit u njoha me një djalë, që jetonte në Itali e ishte nga Kosova. E njoha në Facebook. Më humbi passwordi dhe nuk pata kontakt më me të. Jemi takuar bashkë, kemi pirë dhe kafe. Po, konsumova edhe një lidhje. Në familje nuk kam gjetur ngrohtësi. Djali pranoi të fejohej me mua, por nuk pranoi familja, për shkak të moshës. Marrëdhënia me njerkën ka qenë tepër e ftohtë.  Njerka nuk më përqafonte asnjëherë. Edhe nënën nuk e kam takuar asnjëherë. E kam kërkuar nënën biologjike, por nuk më ka lënë babai. Unë do doja të dija vetëm që nëna ime është gjallë. E kam një emër, mbiemër dhe adresë së saj. Mua më kanë thënë se ajo nuk është nëna ime, por na qenkërka kalimtare e rastit.

Besoj se nëna ime biologjike është ndarë nga babai, për shkak se babai sa duket mund të ketë ushtruar presion psikologjik ndaj saj. Djali që njoha më ka thënë në fund se ti nuk po pranon që të martohesh me mua dhe unë po largohem. Unë besoj se kam ngelur shtatëzënë dhe kam lindur. Kam qenë me dhimbje koke dhe nuk di çfarë ekzaminimesh janë bërë. Aty mund të më ketë kapur ndonjë nerv dhe nuk mbaj mend. Unë besoj se kam lindur një djalë, para kohe. Njerka ma ka mohuar lindjen e fëmijës. Unë e kam humbur memorien nga peripecitë që kam kaluar. Unë mendoj se fëmija ime është birësuar.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb