Tirana është në vendin e shtatë të renditjes së përgjithshme, por bardheblutë duan “Final 4” dhe për t’ia arritur qëllimit, në janar duhet të bëjnë afrime. Kjo është logjika e drejtuesve të rinj të skuadrës, por edhe presidentit të skuadrës.

 

Burime në klub bëjnë me dije, se ekipit për në vazhdim i duhen të paktën edhe dy afrime. Një në mesfushë dhe në një sulm. Është përcaktuar se skuadrës i nevojitet një lojtar në qendrën e mesfushës. Bëhet fjalë për një shkatërrues, të cilin skuadra nuk e ka. Për shumë kohë është sajuar Meta, por me kalimin e kohës është parë që ai nuk është tamam për atë pozicion.

Për më tepër që lojtari i U-21, mund të largohet në janar dhe të shitet në një ekip tjetër. Në këto kushte, po kërkohet identifikimi i këtij lloj lojtarin. Futbollisti i dytë që do të afrohet është një sulmues race. Një lojtar që të godasë portën dhe të shënojë. Një nëntësh klasik që Tiranës i mungon prej shumë kohësh. Edhe trajneri i ri është dakord me këtë plan dhe prej kohësh drejtori Agim Ibrahimi ka në dorë disa opsione.

Madje, kërkimet kanë filluar që me trajnerin e vjetër, Bledi Shkëmbi. Gjithsesi, të shohim se çfarë do të ndodhë. Në sezonin e shkuar, skuadra bardheblu ishte “si nata me ditën” me ekipin e këtij viti në të njëjtin moment të kampionatit. Dhe të thuash se ekipi i vjetëm nuk shkoi dot në katërshe. Sa për krahasim, në fund të javës së 13- të, skuadra e vjetshme kishte 21 pikë dhe ishte në vendin e tretë.

Tirana e sivjetshme është në vendin e shtatë dhe ka 14 pikë ose 7 më pak se 365 ditë më parë. Nëse këtë vit, Tirana ka vetëm dy fitore dhe tetë barazime, sezonin e shkuar ka pasur gjashtë fitore dhe tre barazime. Vetëm te humbjet kanë fituar bardheblutë, pasi kanë një më pak se vjet, tre kundër katër. Edhe në golaverazh, skuadra e vjetshme ishte 21- 19, ndërsa e sivjetmja 17-16. Magani e di mirë se prova e madhe e skuadrës së tij janë pesë ndeshjet e mbetura të fazës së dytë. Testi i “zjarrit” është 270-minutëshi i Elbasanit e dy derbet. Këtu do të shihet nëse forca e ekipit të tij është nënvlerësuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb