Altin Hazizaj shprehu kundërshtinë e tij ndaj propozimit të Kryeministrit Edi Rama për mbylljen e platformës TikTok, duke e quajtur këtë një masë të pamjaftueshme për të adresuar problemet që lidhen me sigurinë digjitale të fëmijëve dhe të rinjve.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e “Open” në News24, Hazizaj theksoi se ka një rrjet më të rrezikshëm se TikTok, dhe ai është Telegrami, një platformë e përdorur nga dhjetëra mijëra persona që vazhdimisht krijojnë dhe mbyllin grupe me përmbajtje jashtëzakonisht shqetësuese, përfshirë pamje pornografike me fëmijë.
Hazizaj argumentoi se problemi nuk qëndron tek platforma vetë, por tek mungesa e edukatës digjitale, sidomos për të rinjtë dhe prindërit. Ai theksoi se është e nevojshme të fillohet me një skemë informimi për rininë dhe të angazhohet shoqëria për të edukuar ata në përdorimin e sigurt të hapësirës digjitale.
“Për prindërit, mungojnë aftësitë bazë për të mbikëqyrur fëmijët e tyre në botën digjitale, dhe shumë prej tyre nuk i njohin platformat ku ndodhen fëmijët e tyre”, shtoi Hazizaj.
Në fund, ai theksoi se për të adresuar rreziqet që lidhen me përdorimin e platformave sociale, është e domosdoshme që të punohet më shumë në nivel edukimi dhe sensibilizimi, për të mbrojtur fëmijët dhe adoleshentët nga përmbajtje të dëmshme.