Fshati Grindavik është evakuuar sërish, pavarësisht se këtë herë rrjedhat e llavës nuk po lëvizin në drejtim të tij.

Një vullkan ka hyrë në një fazë aktiviteti shpërthyes në orët e para të së enjtes në gadishullin Reykjanes, në pjesën jugperëndimore të Islandës, një fenomen ky i regjistruar për të shtatën herë që nga dhjetori i kaluar, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Islandez.

“Një shpërthim filloi në Sundsnukággar në orën 23:14 (koha lokale)”- bën me dije Shërbimi Meteorologjik Islandez në buletinin e tij me këtë rast.

Një video live tregon llavën që buron nga një çarje e gjatë, madhësia e së cilës nuk është përcaktuar në këtë fazë.
I pyetur për këtë nga radioja publike islandeze RAS2, eksperti i shërbimit meteorologjik të Islandës, Benedikt Ofegsson, theksoi se deri më tani asnjë infrastrukturë nuk është e kërcënuar.

Një helikopter i mbrojtjes civile ka fluturuar mbi zonë, duke transportuar shkencëtarë të cilët do të bëjnë një vlerësim të parë të madhësisë së shpërthimit.

Rrjedhat e llavës nuk po lëvizin në drejtim të fshatit të afërt Grindavík, megjithatë, komuniteti është në procesin e evakuimit me ngut të banorëve, si dhe personave të hotelit në zonë.

Ky është shpërthimi i shtatë radhazi vullkanik në Islandë që nga dhjetori. I fundit ka qenë në fund të gushtit në të njëjtën zonë, në gadishullin Reykjavík, ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit Reykjavík.

Gadishulli Reccianes nuk kishte përjetuar një shpërthim vullkanik për tetë shekuj, deri në mars 2021. Të reja pasuan në gusht 2022, korrik dhe dhjetor 2023. Vullkanologët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik ka hyrë në një epokë të re.

Gjithsej 33 sisteme vullkanike aktive gjenden në Islandë, më shumë se në çdo vend tjetër evropian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: