Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho, në lidhje me konsultimet për datën e zgjedhjeve.
Në një prononcim për mediet pas takimit, Blushi tha se “qëndrimi i Partisë së Lirisë ishte që është e pranueshme çdo datë veç asaj të caktuar nga Taulant Balla. Kjo është një mundësi edhe për institucionin e Presidentit për të treguar pavarësi nga pretendimi se ky institucion mund të jetë kthyer në një noter të 2 të mazhorancës, pas Kuvendit”.
“S’mund të jetë data që është paracaktuar nga Balla. Së bashku me Erisa Xhixho shprehëm shqetësimin për mungesën e reagimit në mbrojtje të ish-presidentit, që gëzon status të veçantë mbrojtjeje nga shteti. Ky duhet të ishte i pari që të dënonte me forcë rrëmbimin kriminal e banditesk, me banditë me maska që ushtruan dhunë ndaj ish- presidentit”, theksoi Blushi.
Më tej Blushi tha se “protestat periodike para SPAK, që është shndërruar një strukturë kriminale që shërben si hanxhar në duart e Ramës për të asgjësuar opozitën e vërtetë dhe pluralizmin që me masa ekstreme ka izoluar ish-presidentin, liderin e opozitës dhe po bën çdo përpjekje për të minuar çdo proces të rregullt ligjor, për të vijuar qëndrimin në pushtet të këtij regjimi. Po vepron në mënyrë kriminale e banditeske kundër opozitës”.
Presidenti Begaj zhvilloi ditën e djeshme takim me krerët e partive LZHK, PR, PDIU. Ndërsa më datë 25 nëntor Begaj do të presë në takim përfaqësuesit e PD-së dhe PS-ë.
Prononcim i plotë i Blushit
Pyetje: Cilën datë i propozuat Presidentit për zgjedhje?
Përgjigje: Së pari, ju përgjigjëm pozitivisht ftesës së Presidentit të Republikës, në respekt të këtij Institucioni.
Më lejoni së pari të ndaj qëndrimin që shpreha në emër të Partisë së Lirisë, më saktë shqetësimin për mungesën e një reagimi Institucional nga ana e Presidentit të Republikës, sa i përket rrëmbimit kriminal dhe banditesk të Ish-Presidentit të Republikës, Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.
Ky reagim duhet të kishte ndodhur në respekt të këtij Institucioni, në respekt të Statusit të vecantë që ka Presidenti Meta, si ish- President i Republikës, jeta e të cilit mbrohet edhe nga Garda e Republikës.
E shpreha me forcë këtë shqetësim në mungesë të një reagimi.
Së dyti, sa i përket ditës së Zgjedhjeve, qëndrimi i Partisë së lirisë, i shprehur qartësisht në këtë takim, ishte që për ne është e pranueshme cdo datë, përvec datës së caktuar nga Taulant Balla.
Pyetje: Pra përvec datës 11 Maj?
Përgjigje: Përvec datës së caktuar nga Taulant Balla, çdo datë do të jetë e pranueshme për Partinë e Lirisë, sepse kjo është një mundësi edhe për Institucionin e Presidentit të Republikës për të treguar qartësisht një pavarësi nga pretendimi se ky Institucion mund të jetë kthyer në një “Noter” të dytë pas Kuvendit, të Mazhorancës.
Ndaj ne do mirëpresim me shumë qetësi datën e caktuar nga Presidenti Begaj, por që sic e theksova nuk duhet të jetë për ne, një datë që caktohet apo që është paracaktuar nga Taulant Balla.
Pyetje: Cili ishte qëndrimi i Presidentit Begaj për shqetësimin e ngritur nga ju për mosreagimin e tij për arrestimin e Z. Meta.
Përgjigje: Besoj kjo është një pyetje të cilën duhet tja drejtoni këtij Institucioni, ku qartësisht, së bashku me deputeten Erisa Xhixho, shprehëm shqetësimin e thellë për një mungesë reagimi të këtij Institucioni në mbrojtje të ish- Presidentit të Republikës, I cili gëzon, sic e theksova një Status të vecantë mbrojtjeje nga Shteti.
E dënova me forcë këtë mungesë reagimi, për vet faktin se ky Institucion duhet të ishte i pari që duhet të dënonte më forcë atë rrëmbim kriminal, atë rrëmbim banditesk nga banditë me maska, të armatosur rëndë dhe që ushtruan dhunë ndaj ish- Presidentit të Republikës.
Pyetje: Por në pamundësi për të pyetur Z. Begaj, cili ishte reagimi, a mund të na thoni dicka më shumë?
Përgjigje: Unë këtu jam si përfaqësues i Partisë së Lirisë dhe jo si Zëdhënës i Presidentit aktual të Republikës.
Ky ishte qëndrimi që unë shpreha dhe sa i përket arsyes apo arsyeve se përse Presidenti I Republikës ende nuk ka një reagim, për këtë ju kërkoj me shumë mirësjellje ti drejtoheni këtij Institucioni.
Pyetje: Z. Blushi, ju dje lexuat një letër të hapur të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z Meta, ku ju bënte thirrje Strukturave për protest përpara SPAK. E morrët vendimin ditën e djeshme në mbledhjen e ditës së djeshme për një datë?
A ka një datë Partia e Lirisë kur do ta zhvillojë këtë protestë?
Përgjigje: Kjo protestë do të zhvillohet. Ne sot do të mbledhim një tjetër Forum të rëndësishëm për të caktuar datën, por të jeni të bindur që protestat periodike para kësaj Strukture, që për fat të keq është shndërruar në një strukturë kriminale, e cila shërben vetëm si hanxhar në duart e Edi Ramës, për të asgjësuar Pluralizmin Politik, për të asgjesuar Opozitën e vërtetë.
Një strukturë e cila në funksion të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ka izoluar me masë ekstreme, Presidentin Meta, ka izoluar me “Arrest ShtëpiE” Liderin historik të PD- së Prof. Dr. Sali Berishën dhe po bën cdo përpjekje për të minuar një proces të rregullt, të ndershëm zgjedhor vetëm në funksion të vijimit edhe për katër vite të tjera të sundimit të këtij Narkoregjimi për katër vjet në kurriz të shqiptarëve.
Është një strukturë, e cila thellësisht dhe qartësisht po vepron në mënyrë kriminale, në mënyrë banditeske, në mënyrë terroriste kundër Opozitës, në funksion të axhendave personale dhe politike të Edi Ramës, cka na detyron ne dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriot për të filluar “Stinën” e protestave para një Institucioni që e theksoj, sot shërben jo për të dhënë drejtësi, por shërben për të thelluar padrejtësinë, për të thelluar shkeljen e Ligjit, për të thelluar krimet dhe mos ndëshkimin e korrupsionit skizofrenik të kësaj Qeverie, sepse ju e keni parë që tanimë SPAK- u, përvecse një strukturë e cila shërben për të goditur Opozitën, për të izoluar në funksion të axhendave personale, politike dhe elektorale të Edi Ramës, Liderat kryesorë të Opozitës, Deputetët e Opozitës, duke e shndërruar këtë vend ndër të paktat vende në botë me të burgosur politikë, sic e theksoi qartësisht edhe Rezoluta e Partive Popullore.
Ndaj është e pashmangshme, që ndaj një strukture, e cila sot po shërben vetëm për ti garantuar mbrojtje dhe imunitet politik krimeve të tmerrshme dhe korrupsionit të përbindshëm të Edi Ramës, të mos protestohet.
Minimalisht ky është një detyrim qytetar në rradhë të parë dhe padiskutim do të krijojë edhe një reagim shumë të fortë politik.
Besoj që shumë shpejt ne do të caktojmë datën e nisjes së “Stinëve” të protestave periodike para këtij Institucioni qartësisht të shndërruar në një Organizatë Kriminale, në një Organizatë Terroriste, që ka vetëm një qëllim, garantimin e imunitetit politik ndaj krimeve dhe korrupsionit dhe zgjatjen e sundimit të këtij Narkoregjimi në kurriz të shqiptarëve edhe për katër vite të tjera, cka ne do të bëjmë cdo përpjekje për të mos e lejuar.