Partizani udhëheq me meritë Kategorinë Superiore deri më tani, kur pas 13 javësh, të kuqtë e udhëhequr nga serbi Aleksandar Veselinoviç, kanë arritur të koleksionojnë 24 pikë. Ecuaria e të kuqve ka qenë më tepër se sa pozitive, që kur Veselinoviç, u përzgjodh nga drejtuesit e kuq për të qenë në krye të “Demave”.
Që prej emërimit të trajnerit Aleksandar Veselinoviç, “demat” nuk kanë pësuar asnjë humbje, duke marrë 11 rezultate pozitive radhazi (fitoren e parë e kanë arritur me Arbër Abilaliajn në pankinë kundër Skënderbeut me shifrat 2-1 për javën e dytë). Humbja e vetme e të kuqve këtë kampionat është pikërisht në javën e parë, kur Vllaznia i mundi minimalisht 0-1 në stadiumin “Arena e Demave” (Abilaliaj trajner).
Mirëpo, ajo që bën përshtypje në ecurinë e Partizanit me Veselinoviç janë ndeshjet në shtëpi. Nga katër të luajtura deri më tani me serbin në krye të pankinës, të kuqtë kanë arritur vetëm një fitore 1-0 kundër Bylisit, ndërsa në të tjerat kanë barazuar me Dinamon, Tiranën dhe Teutën.
Interesant është fakti se “Demat” janë më bindës në rezultate jashtë fushës së tyre. Në shtatë ndeshje të zhvilluara, kanë arritur 4 fitore dhe 3 barazime, duke mos u mposhtur asnjëherë. Në total jashtë fushe kanë një golavarazh pozitiv 12-4. Partizani është dukshëm skuadra që ka bërë më mirë në transferta deri më tani në Superiore, por ajo që duhet korrigjuar është faktori fushë, aty ku mendohet se “Arena e Demave” duhet të jetë fortesë për ekipin. Këtë të dielë Partizani pret Laçin dhe do të kërkojë rikthimin te fitorja në shtëpi, që mungon prej 5 tetorit kundër Bylisit (1-0).