Në emisionin “Open” në News24 është trajtuar vrasja e 14-vjeçarit, Martin Cani, nxënës në shkollën “Fan Noli”, i cili u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.

Analisti Fatos Lubonja tha se kjo ngjarje nuk mund të politizohet, duhet një analizë se ku është futur Shqipëria në këto 30 vjet.

“Thelbi është se kemi një shoqëri që vjen nga dhuna, sepse regjimi komunist ishte dhunë, dhe ajo dhuna që shteti shtypte njerëzit, është fragmentarizuar në këto format e tjera të dhunës. Pra është një shoqëri që nuk ka rritur që njeriu të jetë më i mirë se tjetri, shqiptarët gjithmonë probleme i kanë shkaktuar njëri-tjetrit.

Nënë Tereza kur ka ardhur në Shqipëri ka thënë: Atdheun do e doni më shumë kur të doni njëri-tjetrin. Fëmijët janë viktima. Është e vërtetë që në moshën e adoleshencës njeriu është më agresiv, por çfarë kemi bërë ne. Kjo nuk është punë TikTok, por modelet që ne i kemi krijuar”, tha Lubonja. Sipas tij, kemi një fenomen që nis që nga edukimi i dhunës ndaj tjetrit.

Ai tha se ne e kemi pranuar dhunën, i jemi nënshtruar dhunës, ndaj edhe nuk ka revoltë.

Analistja Ornela Çuçi tha se kur ndodhin makabritete të tilla duhet të ketë reagime, por nuk ka as revoltë. “Për ngjarje të tilla është djegur Athina, ndërsa këtu vdekjen e kanë kthyer në teatro.

Ka mbetur vetëm të futemi në arkivol për të fotografuar. Një nënë e ka qarë një fëmijë që u vdiq, dhe tjetra e ka qarë se fëmija tjetër është brenda. Në fund të ditës kemi dy fëmijë të humbur përjetësisht. Mos ia dhëntë Zoti askujt që të përballen me situata të tilla”, tha Çuçi. Ajo tha që duhet të kemi një revoltë të madhe, por situata të tilla nuk mund të zgjidhet duke ikur një ministre dhe duke ardhur një tjetre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb