Në Gjermani debati se a do të jetë Olaf Scholz apo Boris Pistorius kandidat i socialdemokratëve gjermanë për zgjedhjet parlamentare preokupoi opinionin publik këtë javë.

Megjithatë mbrëmë debati mori fund, pasi ministri i Mbrojtjes Pistorius deklaroi papritur tërheqjen.

Analisti i DW, Auron Dodi ka zbuluar në një komunikim me News24 se si paraqitet situata në Gjermani dhe cila është fryma mnë kampin e socialdemokratëve.

Pse u kthye në debat publik kandidatura e socialdemokratëve për zgjedhjet parlamentare?

Dodi: Përshëndetje. Publik, më i gjerë, debati u bë ditët e fundit. Politikanë, degë të partisë socialdemokrate gjermane, institute demoskopike shpreheshin e pyesnin vazhdimisht se me kë mund të kenë sukses, në zgjedhjet parlamentare, socialdemokratët: me kancelarin Scholz, apo me ministrin e Mbrojtjes Pistorius.

Scholzi ndodhej në fakt jo në Gjermani, ndodhej në samitin e G-20-ës në Rio de Janeiro, kur në Gjermani u shtuan zërat, që e vinin në dyshim, kandidimin e tij të ri për kancelar.

Politikanë të njohur, si ish-zëvendëskancelari Sigmar Gabriel u shpreh në platformën X kundër vazhdimit “të statuskuosë” me Scholz-in. Gabriel tha se Gjermanisë i duhet tani një udhëheqje e guximshme politike.

Përfaqësuesit e degës së landit Rin Verior-Vestfali, degës më të madhe në grupin parlamentar SPD në Bundestag, deklaruan me shkrim se “prestigji aktual i Olaf Scholz-it është i lidhur fort me koalicionin tripartiak” (që në fakt dështoi, u shpërbë).

Ishte një diskutim i paorganizuar, shpesh i pavendosur, herë-herë dukej si një brainstorming publik.

Në thelb shkualifikimi si kryesues i garës së re për një kancelar ende në pushtet, siç është Scholzi, është akt i pazakontë në Gjermani. Gjithsesi: punën, kryesisë së partisë socialdemokrate (SPD) ia lehtësoi ministri i Mbrojtjes, Pistorius. Mbrëmë (21.11.), rreth orës tetë ai njoftoi papritur me një video në mesenxherin Whatsup: “Unë nuk jam në dispozicion si kandidat për postin e kancelarit federal. Ky është vendimi im sovran”. Pas kësaj, kryesia e SPD-së deklaroi se të hënën do ta shpallë zyrtarisht Scholzin si kandidat për kancelar.

Pse kjo këmbëngulje e madhe për të vënë Pistoriusin në vend të Scholzit si figurën kryesuese të socialdemokratëve në fushatë?

Dodi: Kjo ka të bëjë nga njëra anë me dëshirën e kuptueshme të socialdemokratëve për të mos rënë nën 14-15%, në zgjedhjet parlamentare në 23 shkurt. Sepse sa më pak përqindje, aq më pak deputetë edhe në parlament e në poste: pra kuptohet që preken karrierat. Kujtoj se CDU/CSU konservatore arrin dyfishin në sondazhe, aktualisht 33-34%.

Nga ana tjetër: ministri i Mbrojtjes Pistorius është politikani numër një i Gjermanisë, në preferencat e gjermanëve. Edhe një sondazh i publikuar dje i stacioneve publike ARD (ARD-Deutschlandtrend), tregoi 60% mbështetje për Pistoriusin si kandidat për kancelar, dhe 21 përqind mbështetje për Scholzin.

Pistoriusi vlerësohet si politikan që nuk stepet, dhe thotë, po qe nevoja, me fjalë të qarta, atë që duhet të bëjë Gjermania. Kjo megjithëse 64 vjeçari Pistorius u bashkua vonë me qeverinë në Berlin: ai hyri në qeveri në janar 2023.

Nga të gjitha këto, kryesia e socialdemokratëve u vu nën presion publik. Dhe u detyrua të diskutojë, për këtë temë. Por siç e pamë, politika në Gjermani nuk funksionon thjesht mbi bazë preferencash personale, apo të votuesve. Po në bazë procedurash të provuara.

Pse kaq pak mbështetje për kancelarin Scholz në opinion?

Dodi: Olaf Scholzit, në përgjithësi, i njihet meritë reagimi i shpejtë pas fillimit të luftës në Ukrainë. Kapja e momentit, siç u shpreh Presidenti amerikan Biden, kur erdhi në Gjermani. Shihet si një akt që meriton respekt, mobilizimi prej Scholzit i mbështetjes thelbësore për Naton dhe Ukrainën pas nisjes së luftës; vendimi për rritjen gjigande të investimeve gjermane për mbrojtjen; zëvendësimi me sukses i Rusisë me partnerë të tjerë energjitikë për Gjermaninë. Mbështetësit thonë se Scholzin e nënvleftësojnë. Se Scholzi në fakt pati koalicion qeveritar të vështirë.

Por kritikët, sidomos opozita CDU/CSU, thonë se Scholzi vërtet e shpalli “Zeitenwende”, kthesën epokale, pas nisjes së luftës në Ukrainë. Por nuk e ushqeu në vazhdimësi, me përmbajtje, me shpjegime e me lidership.

Energjitë në qeveri dukej se konsumoheshin me mosmarrëveshje, publike. Ekonomia dhe industria prisnin qëndrime më të vendosura për hapat e mëtejshëm, prisnin siguri: një linje të qartë për ekonominë gjermane, pranë recesionit. Situata kishte vështirësi objektive, kjo pranohet: megjithatë mangësitë peshojnë për mjaft njerëz më shumë se sukseset.

Një debat si ky që u zhvillua e dëmtoi Scholzin. Pse u lejua ai?

Dodi: Duhet thënë se debati në fillim diskutohej pas dyerve të mbyllura. Pëshpërima u kthye në debat publik kur Scholzi vetë nuk ndodhej në Gjermani. Kjo ndoshta ushqeu shpresat e disave për kryengritje në pallat. Si shembull u sollën edhe SHBA: tërheqja e Joe Bidenit, po 100 ditë para zgjedhjeve, në dobi të Kamala Harrisit.

Ministri Pistorius në fakt njihet si besnik i kancelarit. Fillimisht ai e përjashtonte krejt kandidaturën. Më vonë, përballë dëshirave për të, në një fjalim në Bavari, Pistoriusi tha se “në politikë nuk duhet ta përjashtosh kurrë diçka, pavarësisht për se bëhet fjalë”. Mbrëmë Pistoriusi kujtoi se nuk ishte ai, që e kishte kërkuar këtë debat. Dhe se Scholzi është kancelar i shkëlqyer. Sido që të jetë, kjo çështje më në fund u vendos.

Mbështetësit e Pistoriusit, me sa duket, nuk i ndihmoi as paralelizmi me Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin?

Dodi: Është e vërtetë, nuk i ndihmoi, edhe sepse ishte një paralelizëm i paplotë: injorohej rezultati. Bideni vërtet u tërhoq, por Kamala Harris nuk pati sukses. Entuziazmi që solli Kamala Harrisi në SHBA mbajti pak. Dhe rezultoi jo efektiv: nuk u përkthye në vota. Pra një imitim i veprimit të Bidenit në Gjermani do të ishte njëkohësisht edhe një aventurë. Dhe socialdemokratët gjermanë vendosën t’i shmangen një eksperimenti apo aventure, megjithë pasigurinë që kanë për rezultatin në zgjedhje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb